Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit.
Çështja ndaj Rozeta Hajdarit do të shkojë në gjykim pavarësisht prej përpjekjeve të saj që të hidhej poshtë aktakuza e Prokurorisë Speciale për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në një aktvendim të nxjerrë të premten e javës së shkuar, më 13 mars, një trup gjykues i Departamentit Special të Gjykatës e refuzoi kërkesën e ish-ministres për hedhje të aktakuzës.
Ky trup gjykues i vlerësoi si të pabazuara kërkesat për hedhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve.
Paparaci e ka siguruar ekskluzivisht vendimin që lë në fuqi aktakuzën për korrupsion dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj ish-ministres së Tregtisë në Qeverinë Kurti II, transmeton Ekonomia Online.
Sipas atkvendimit, aktakuza ka prova të mjaftueshme, nuk ka shkelje procedurale dhe është e bazuar ligjërisht.
Ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin e Rezervave Shtetërore, një afere që i ka shkaktuar afër tre milionë euro dëm buxhetit të shtetit.
Në të njëjtin rast, bashkë me Hajdarin akuzohen edhe tre të tjerë: dy zyrtarëve të MINT-it, Hafiz Gara e Irfan Lipovica, si dhe afaristit Ridvan Muharremi.
Hajdari, Gara dhe Lipovica dyshohen të tre për të kryerjen e dy veprave penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Paparaci ka provuar të kontaktojë me Nazim Mehmetin, avokatin e njërit prej të të pandehurve, por ai ka qenë i paarritshëm përmes telefonit të martën.
