UBT News

Konferenca për Lidership në UBT: Ministrja Kusari-Lila, Rektori Hajrizi dhe ekspertët diskutojnë për qeverisjen e inovacionit dhe sfidat e inteligjencës artificiale në Kosovë

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u zhvillua paneli i dytë i Konferencës Ndërkombëtare të Lidershipit me temë qendrore: “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”.

Ky takim mblodhi përfaqësues institucionalë, drejtues akademikë dhe ekspertë për të diskutuar mbi rrugëtimin e përbashkët të teknologjisë, politikave publike, arsimit të lartë dhe zhvillimit ekonomik. Përmes analizave të detajuara, panelistët shpjeguan sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale (IA) në integrimin e sistemeve të ndryshme në Kosovë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vuri në dukje se inovacioni dhe teknologjia kanë ecur shumë më shpejt se rregullimet ligjore, duke krijuar një hendek të madh që kërkon adresim të menjëhershëm përmes politikave publike. Ajo theksoi se për herë të parë dikasteri i saj ka marrë portofolin e inovacionit, duke synuar ndërlidhjen më të mirë të institucioneve me sektorin privat.

“Ne jemi në mesin e konceptualizimit dhe ndërlidhjes së funksionimit të inteligjencës artificiale, inovacionit, politikave publike dhe aplikimit e inkurajimit të sektorit privat për përdorimin e tyre. Kam ndjerë se për herë të parë e kemi një sektor ku hendeku ndërmjet politikave publike dhe sektorit privat është më i madhi ndonjëherë, sepse inovacioni, teknologjia informative dhe çdo gjë që lidhet me konceptin e zbulimeve dhe kreativitetit ka ecur shumë më shpejt, pa qenë domosdoshmërisht e rregulluar”, u shpreh Kusari-Lila.

Në rrafshin akademik, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u ndal tek impakti që ka përhapja e shpejtë e dijes kognitive globale mbi universitetet.

Sipas tij, kjo periudhë transformimi nuk rrezikon ekzistencën e institucioneve arsimore, por shërben si një momentum për të reflektuar mbi rolin e tyre të ri, që duhet të jetë ai i një nxitësi dhe koordinuesi kryesor në ekosistemin inovativ.

“Impakti i inteligjencës artificiale apo i një dije të përgjithshme kognitive globale, e cila tashmë është e qasshme, shtron në pikëpyetje proceset e mëparshme klasike dhe tradicionale të formatit sesi institucionet kanë jetuar. Pozicioni i universiteteve është duke u shtruar në pikëpyetje, jo në kuptimin negativ, por si një momentum për të reflektuar dhe për t’u transformuar në të ardhmen. Nuk është në pyetje ekzistenca e universitetit, por roli dhe formati i tij që të ketë sa më shumë impakt”, theskoi Hajrizi.

Nga këndvështrimi i zhvillimit të bizneseve, Dekani i Fakultetit të Menaxhimit, Biznesit dhe Ekonomi, Muhamet Gërvalla, shpjegoi se si globalizimi dhe IA po thyejnë barrierat gjeografike. Ai theksoi se epoka e re kërkon që kompanitë të ndryshojnë mendësi, duke lëvizur nga fokusi i thjeshtë tek burimet e veta të brendshme, drejt krijimit të shërbimeve të personalizuara dhe kuptimit digjital të klientit.

“Inteligjenca artificiale është një nga mundësitë e arta të cilat duhet t’i shfrytëzojnë bizneset, në mënyrë që ato fillimisht të udhëhiqen në aspektin e mendësisë, duke filluar prej krijimit apo përcaktimit të strategjisë së tyre biznesore e pastaj në atë operacional. Sot ka ndryshuar qasja, nuk është e mjaftueshme ajo formë e vjetër e operimit. Bizneset duhet të transformohen në atë kuptim që të njohin interesat e klientëve dhe të krijojnë një personalizim virtual të individit”, sipas Gërvalles.

Ndërkaq, sfidat praktike të mungesës së të dhënave të integruara në Kosovë u adresuan nga Besnik Qehaja, Dekan i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT. Ai mori si shembull sistemin shëndetësor, ku vuri në dukje se pa pasur platforma që mbledhin dhe gjenerojnë informata të plota, është mjaft e vështirë të krijohen modele për vendimmarrje të bazuara në inteligjencën artificiale, duke prekur këtu edhe aspektet etike të sigurisë.

“Mungesa e informatave për shkak të sistemeve që nuk janë të integruara na bën pak më të disfavorshëm në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe etikën, por edhe në aspektin e vendimmarrjes. Për momentin, pa pasur të dhëna të gjeneruara, nuk mundemi t’i ideojmë ose t’i krijojmë modelet për vendimmarrje duke u mbështetur në inteligjencën artificiale. Megjithatë, sistemet janë në implementim e sipër dhe falë inteligjencës artificiale ato do të implementohen më shpejt”, u shpreh Qehaja.

Diskutimet e këtij paneli nxorën në pah se sekreti i suksesit në këtë epokë të re qëndron te ndërthurja e shpejtësisë së teknologjisë me ruajtjen e aspektit human dhe ndërtimin e platformave digjitale të sigurta.

 

Exit mobile version