UBT News

Konferenca e përbashkët: PDK dhe AAK nesër në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, dhe ai nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media lidhur me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë konferencës, Arian Tahiri bëri të ditur se Aleanca i është përgjigjur pozitivisht ftesës së PDK-së dhe shprehu shpresën se njësoj do të veprojnë edhe subjektet e tjera politike.

Ai i bëri ftesë publike kryesuesit të seancës, Avni Dehari, si dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se po e pengojnë konstituimin e Kuvendit përmes mosftimit të seancës, e cila sipas tij është obligim ligjor e kushtetues që të thirret çdo 48 orë. Deputeti i PDK-së konfirmoi se partia e tij do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit të premten nga ora 11:00, duke pritur që aty t’i bashkohen edhe tjerët.

Nga ana e tij, Besnik Tahiri i Aleancës konfirmoi gjithashtu praninë e subjektit të tij në Kuvend në të njëjtin orar. Ai bëri me dije se në koordinim me partitë e tjera opozitare i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit Avni Dehari për një takim koordinues, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Përfaqësuesi i AAK-së nënvizoi se po dëshmohet një fillim i shpërbërjes së institucioneve, prandaj do të ndjekin të gjitha rrugët institucionale përpara se të ndërmarrin hapa të tjerë politikë në shërbim të kthimit të rendit kushtetues./E.A/

 

Exit mobile version