Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka shprehur mirënjohjen për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e koncertit “Americana”, i mbajtur të mërkurën mbrëma në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së e cilësoi koncertin si një mbrëmje të veçantë kushtuar muzikës, kulturës dhe miqësisë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Çfarë performance që shijuam! Falënderime të përzemërta për Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për interpretimin e jashtëzakonshëm dhe për të gjithë ata që e bënë ‘Americana’ një mbrëmje kaq të paharrueshme, duke festuar 250-vjetorin e Amerikës dhe partneritetin tonë të qëndrueshëm. Një mbrëmje vërtet e paharrueshme me muzikë, kulturë dhe miqësi!”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Koncerti “Americana”, nën dirigjimin e maestros Toshio Yanagisawa, solli para publikut vepra të njohura të kompozitorëve amerikanë, përfshirë George Gershwin dhe Leonard Bernstein, duke mbledhur qindra qytetarë në qendër të Prishtinës për një mbrëmje festive që shënoi lidhjet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./A.K/
