UBT News

Koncert solemn në Prishtinë për Shën Nënë Terezën dhe Kardinalin Ernest Simoni

Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt një koncert solemn, i organizuar në nder të Shën Nënë Terezës, me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të saj, si dhe për të shënuar 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Kardinalit shqiptar Ernest Simoni.

Ky aktivitet u organizua nga Fondacioni “Kardinal Domenico Bartolucci”, në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, nën patronatin e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Koncerti u hap nga Kori i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, së bashku me sopranon Arta Jashari, të cilët interpretuan veprën “Rri me ne” të kompozitorit Marco Frisina, nën dirigjimin e motrës Lidvina Marku dhe me shoqërim në organo nga Emanuel Mates.

Në vijim, performoi Kori i Fondacionit “Bartolucci”, nën drejtimin e dirigjentit Adriano Caroletti dhe organistit Josep Solé Coll, duke sjellë një program të pasur me vepra me tematikë pashkore, që u prit me emocione të veçanta nga publiku.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, Kardinali Ernest Simoni, Ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, si dhe përfaqësues institucionalë, diplomatë, artistë dhe besimtarë të shumtë.

Exit mobile version