UBT News

Komuniteti LGBT po përballet me sulme në rritje nga talibanët

Jeta e komunitetit LGBT është “përkeqësuar dramatikisht” nën sundimin e talibanëve, sipas një sondazhi të ri, ku theksohen rastet e dhunës fizike, dhunimit seksual dhe kërcënimet me vdekje qysh prej kur talibanët morën pushtetin vitin e kaluar.

Raporti nga Human Rights Watch (HRW), regjistroi afërsisht 60 raste të dhunës ndaj komunitetit LGBT që nga gushti i vitit 2021, e disa nga ta përshkruan se si sundimi taliban ua shkatërroi jetën.

“Jeta gjithmonë ishte e vështirë. Por njerëzit gjenin mënyra për të mbijetuar, për ta ndërtuar komunitetin dhe për ta mbështetur njëri-tjetrin, dhe ata shpresonin se gjërat do të përmirësoheshin gradualisht. Por më 15 gusht, gjithçka mori fund”, deklaroi Heather Barr, drejtoreshë e asociuar në divizionin e të drejtave të grave në HRW.

Homoseksualiteti ndalohej nën periudhën e Ashraf Ghanit, presidenti i rrëzuar i Afganistanit, dhe dënohej me burg. Megjithatë, raporti i HRW tha se talibanët “u zotuan se do të mbajnë një qëndrim të ashpër kundër të drejtave të personave LGBT” dhe cituan ligjin e sheriatit.

J Lester Feder, bashkëpunëtor i lartë për kërkime emergjente në OutRight Action International, tha se kanë biseduar me afganët e komunitetit LGBT që përjetuan dhunë qoftë fizike apo në forma tjera. Sipas tij, rikthimi i talibanëve është periudhë e tmerrshme për afganët e komunitetit LGBT.

Zeba Gul*, 16-vjeçare, tregoi për Guardian se si jeta e saj është përkeqësuar në muajt e fundit.

“Më pëlqen grimi, më pëlqejnë fustanet dhe më pëlqen të kërcej. Por familja ime nuk i lejoi të gjitha këto. Më mbyllnin me zinxhirë dhe më rrihnin. Më rruanin kokën, më grisnin rrobat dhe më shanin, duke më quajtur ezaak, (një term nënçmues për homoseksualët)”, deklaroi ajo.

Gul përshkroi tmerrin që përjetoi si transperson në një vend thellësisht konservator si Afganistani.

Para se talibanët të vinin në qytetin e saj në Afganistanin perëndimor, ajo u torturua si objekt turpi nga familja e saj, por pas 15 gushtit, rreziku për jetën e saj u bë i rëndë.

“Pasi talibanët erdhën në pushtet, familja ime më dëboi nga shtëpia. Është kulmi i dimrit dhe unë fle në parqe. Unë jam sulmuar. Unë jam përdhunuar. Talibanët më mbajtën për tre ditë dhe më rrahën. Nuk kam njeri [që të kujdeset për mua]”, deklaroi ajo.

Në vitin 2021, një zëdhënës i talibanëve i tha gazetës gjermane Bild: “Për homoseksualët, mund të ketë vetëm dy dënime: ose me gurë, ose duhet të qëndrojnë pas një muri që do të bjerë mbi ta”./UBTNews

Exit mobile version