UBT News

Komunat dhe prindërit kërkojnë kthimin e nxënësve në shkolla, MASh ende pa vendim

Kur kanë mbetur edhe një javë për fillimin e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ende nuk ka vendosur se si do të mbahet procesi mësimor.

Kjo ministri ka ofruar tre skenarë për organizimin e mësimit, ku drejtoritë e Arsimit në komunat e Kosovës, por edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës po kërkojnë që nxënësit të fillojnë mësimin në objektet shkollore, duke e përjashtuar tërësisht mundësinë e fillimit të mësimit në distancë.

Besim Avdimetaj, kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, njëherësh drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, thotë se të gjitha komunat po përkrahin dy skenarët e para, ndërsa kundërshtojnë mbajtjen e mësimit online.

Ai thotë se të gjitha komunat janë të përgatitura teknikisht për të filluar vitin e ri shkollor ku do të respektohet distanca sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.

“Opsioni i tretë është ai opsioni që nuk e dëshirojnë komunat, do të thotë opsionin e mësimit online, këto dy opsionet tjera varësisht nga kapacitetet dhe numri i nxënësve nëpër shkolla janë të mundshme. Gjendja teknike e shkollave është në rregull, ku respektohet distanca. Nëse nuk ka ndonjë vendim për shkak të pandemisë, besojmë se do të fillojmë, përndryshe nëse ndryshon gjendja shëndetësore, sigurisht që nënkuptohet që mësim nuk ka me pas”, thotë ai.

Versionet që përfshijnë kthimin në objektet shkollore janë më të përshtatshme për Komunën e Suharekës.

Drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Remzi Bajselmani, deklaron se vetëm në dy shkolla të qytetit është problematike për shkak të numrit të madh të nxënësve, ndërsa në shkollat tjera nuk do ta kenë problem sa i përket sigurimit të distancës.

“Jemi duke bërë përgatitje që gjithqysh të kthehemi në shkolla, sepse është kërkesë e gjitha palëve, prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve që procesi të fillojë normalisht në shkolla”, thotë ai.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Islam Shabani, potencon se janë kundër mbajtjes së mësimit në distancë, por përkrahin fillimin e mësimit në objektet shkollore.

Shabani thotë se për këtë komunë më i përshtatshëm është skenari B.

Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazmi Gagica, thotë se përkundër që kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor presin një vendim të unifikuar nga Qeveria e vendit për të gjitha Komunat.

“Ne presim një vendim të Qeverisë për një vendim unik për të gjitha Komunat. Pra, ne jemi për një vendim unik – jo të krijohet laramani në nivel të përgjithshëm”, thotë Gagica.

Kthimin e tërësishëm në objektet shkollore për nxënësit po e kërkon edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Kryetari i këtij Këshilli, Ymret Reshiti, thotë se nuk përkrahin mësimin në distancë.

“Më i përshtatshëm dhe më e pranueshme për neve dhe për nxënësit që kërkojnë është versioni i parë i planit të Ministrisë për fillimin e mësimit, pra mësimi në kushtet normale në shkolla, nxënësit të kthehen në shkolla”, deklaroi ai.

Vendimin se si do të fillojë viti i ri shkollor, ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, në mbledhjen e Qeverisë ditën e premte tha se do ta marrin në mbledhjen e radhës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë fillimin e vitit të ri shkollor sipas tre skenarëve, ku skenari A përfshin mësimin me prezencë në institucionet shkollore me masat parandaluese, skenari B nënkupton rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar-prezencë dhe mësim në distancë dhe skenari C mësimi në distancë. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version