Ka disa muaj që komisioni i ekspertëve nga komuna e Vushtrrisë, në përbërje të anëtarëve të subjekteve politike që përbëjnë Kuvendin e komunës së Vushtrrisë dhe anëtarëve të Ekzekutivit, ka filluar punën për hartimin e statutit të komunës së Vushtrrisë.
Angazhimi dhe kontributi i tyre sot u kurorëzua me votim nga Kuvendi i komunës me 24 vota “PËR”, duke i mundësuar kështu komunës së Vushtrrisë që nga sot të ketë statutin e ri.
Me këtë rast, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi falënderoi komisionin e ekspertëve për hartimin e draft-statutit si dhe anëtarët e Kuvendit të komunës për mbështetjen që i dhanë me votën e tyre.
Kryetari Idrizi uroi qytetarët e komunës së Vushtrrisë, duke vlerësuar se ky statut ishte i domosdoshëm dhe si akt juridik që rregullon mënyrën e funksionimit të komunës hapë rrugën për zhvillimin e mëtejmë të komunës së Vushtrrisë.