UBT News

Komuna e Prishtinës refuzon kërkesën ndaj autobusëve të Podujevës

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar kthimin e autobusëve të Podujevës nga Xhamia e Llapit, duke theksuar se kjo nuk do të lejohet si pikë kthimi. Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, tha se kërkesa e Shoqatës së autobusëve të Podujevës për ta bërë kthimin në këtë lokacion është e papranueshme për komunën.

Lushaku tha se Shoqata e autobusëve e kishte paralajmëruar grevën para dhjetë ditësh dhe se për këtë kishte pasur një takim të premten me policinë. Ai tha se policia e kishte konfirmuar se greva mund të mbahej si e drejtë ligjore dhe kushtetuese, por pa penguar qarkullimin.

“Shoqata e autobusëve të Podujevës e pat paralajmëruar para 10 ditësh këtë grevë. Ne kemi pasur një takim ditën e premte në polici bashkë me të njëjtit dhe ju kemi dhënë disa propozime për ta zgjidhur situatën. Ndërkohë, policia ju ka konfirmuar atyre madje edhe me vendim me shkrim, siç kemi marrë informacion sot se greva mund të zhvillohet, sepse është e drejtë kushtetuese dhe ligjore. Mirëpo, nuk mund të ketë pengesë në qarkullim të komunikacionit, që nënkupton se sikurse herën e kaluar autobusët nuk mund të qëndrojnë për ta bllokuar ndonjërin nga shiritët, siç ka qenë rasti i mëhershëm te Komuna apo edhe tash siç është bërë bllokimi tek lagja Top Hane”, tha ai.

Ai bëri të ditur se masat e marra nga komuna bashkë me policinë kanë qenë largimi i tabelave të autobusëve dhe shqiptimi i gjobave.

“Masat që i kemi marrë si komunë bashkë me policinë ka qenë largimi i tabelave të atyre autobusëve, pastaj shqiptimi i gjobave nga ana e policisë. Ne e kemi arritur një marrëveshje paraprake me ta që ata të hyjnë në qytet nga Kodra e Trimave, të vazhdojnë tek shkolla Model, tek rruga Zagrebi, të vazhdojnë tek stacioni i autobusëve, të kthehen në këtë rrugëtim, e të njëjtin ta përfundojnë duke shkuar në Podujevë. Por të njëjtit në disa raste nuk e kanë respektuar, madje edhe disa hyrje-dalje në Stacionin e autobusëve nuk i kanë bërë ashtu siç është paraparë, por ka më pak hyrje-dalje se sa që duhej të ishin. Andaj ne shpresojmë dhe jemi edhe për dialog, kuptohet në mirëkuptim me ta me idenë që të vazhdohet kjo formë e marrëveshjes e jo të hyhet në qytet dhe të ketë kthim nga i ashtuquajtura stacioni tek Xhamia e Llapit”, tha ai.

Lushaku tha se komuna është e hapur për dialog me Shoqatën e autobusëve, por vetëm në kuadër të marrëveshjes ekzistuese.

Ai shtoi se një tjetër kërkesë e Shoqatës ka qenë që dy nga linjat e kontraktuara të komunës të mos shkelin në territorin e Podujevës, çështje që duhet të diskutohet mes dy komunave.

 

Exit mobile version