UBT News

Komuna e Prishtinës: Asnjë objekt nuk mund të përdoret pa inspektim final dhe certifikatë të përdorimit

Drejtoria e Inspektoratit e Kryeqytetit ka njoftuar se asnjë objekt nuk do të lejohet të vihet në përdorim pa kaluar inspektimin final dhe pa u pajisur me certifikatën e përdorimit, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj shkelësve.

Sipas njoftimit, masa vlen për të gjitha objektet që janë në kompetencë të Inspektoratit të Ndërtimit të Kryeqytetit, përfshirë shtëpitë individuale, ndërtesat kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, objektet afariste, industriale dhe publike.

Komuna thekson se, në përputhje me Ligjin për Ndërtim, përdorimi i një objekti lejohet vetëm pasi organi kompetent të kryejë inspektimin final dhe të lëshojë certifikatën e përdorimit, e cila dëshmon se objekti është ndërtuar sipas lejes ndërtimore, projektit të miratuar dhe standardeve të sigurisë.

Drejtoria e Inspektoratit ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht, para përfundimit të punimeve, përmes një urdhërese inspektuese. Me këtë urdhëresë ata do të obligohen të mos e vënë objektin në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet blerësve dhe të mos lejojnë vendosjen e banorëve apo fillimin e aktiviteteve ekonomike deri në përfundimin e procedurës së inspektimit dhe pajisjen me certifikatën përkatëse.

Njëkohësisht, qytetarëve u është bërë thirrje që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa certifikatën e përdorimit, pasi një objekt i tillë nuk konsiderohet i verifikuar zyrtarisht për përmbushjen e kushteve ligjore dhe teknike për përdorim të sigurt.

Komuna paralajmëron se ndaj atyre që shkelin këto dispozita do të ndërmerren të gjitha masat e parashikuara me ligj. Këto përfshijnë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, urdhërimin për lirimin e tij deri në pajisjen me certifikatë të përdorimit, shqiptimin e gjobave administrative, si dhe inicimin e procedurave të tjera ligjore dhe administrative.

Në fund të njoftimit, Drejtoria e Inspektoratit thekson se inspektimi final dhe certifikata e përdorimit nuk janë vetëm formalitete administrative, por mekanizma ligjorë që garantojnë sigurinë e qytetarëve. Për këtë arsye, thuhet se nuk do të tolerohet vënia në përdorim e asnjë objekti që nuk i plotëson kërkesat ligjore.

D.L

Exit mobile version