Komuna e Malishevës ka nënshkruar sot marrëveshje të bashkëpunimit në mes të “Help-Hilfe zur Selbsthilfe” Misioni në Kosovë, në kuadër të projektit “Fuqizimi socio-ekonomik i Ballkanit Perëndimor”.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i mekanizmave dhe rrjeteve për fuqizimin e grupeve të margjinalizuara përfshirë masat e rimëkëmbjes nga Covid-19 dhe përfshirjen e tyre në prosperitetin shoqëror.
Ky program synon të rrisë stabilitetin socio-ekonomik të rajonit gjatë periudhës 2021-2022, transmeton Klankosova.tv.
Në projekt Komuna e Malishevës përfshihet me 25 grante në sektorët bujqësi, zejtari dhe shërbime, ndërsa kontributi i Komunës është 30%.
Vlera mesatare e një granti, për një përfitues, është deri në 2,000.00 Euro, shumë kjo e cila përfshinë edhe kontributin nga klientët e përzgjedhur të cilët përfitojnë shumë prej 20%.
Krahas pajisjeve, përfituesve do t’u ofrohen edhe trajnime profesionale dhe mbështetje teknike pasi të kenë pranuar pajisjet.
Marrëveshja është nënshkruar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe përfaqësuesja e “Help-Hilfe zur Selbsthilfe” në Kosovë, Shqipe Breznica.