(Operacioni special për neutralizimin e objektivave dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s përfaqëson kulmin e artit modern të zbatimit të ligjit përmes inteligjencës strategjike)
Shkruan: Prof. Dr. Bahri Gashi
Ky operacion special shumëfunksional ishte një veprim kirurgjik i shërbimeve të kombinuara, i konceptuar dhe i ekzekutuar me precizitet absolut. Ai pritet të studiohet si model reference në akademitë ushtarake dhe qendrat e inteligjencës anembanë botës, për mënyrën e ekzekutimit që karakterizohet nga saktësia operative, shpejtësia vendimtare dhe befasia totale përmes mashtrimit strategjik, deri në aspektet milimetrike të goditjes së objektivit, me fokus taktik kapjen ose eliminimin në rast rezistence.
Koordinimi dhe menaxhimi ndërinstitucional ndërmjet shërbimeve, në nivel maksimal operacional, dëshmoi integritet vertikal dhe horizontal të kapaciteteve të inteligjencës në pesë nivele komandimi. Ky proces u mbështet nga pesë komanda strategjike ushtarake dhe u sinkronizua me të gjitha 16 agjencitë e inteligjencës, të integruara në një arkitekturë të vetme operacionale. Ky ishte një demonstrim i pastër i dominimit operacional global.
Agjentët kombëtarë amerikanë operuan në regjim të plotë heshtjeje operative, duke zbatuar një doktrinë të avancuar të veprimit të fshehtë, ku u ndërthurën teknikat klasike të infiltrimit njerëzor me epërsinë absolute teknologjike. Vëzhgimi u realizua përmes një rrjeti të tipit “merimangë” në harkun vertikal dhe horizontal, integrim sensorësh, platformash ajrore pa pilot dhe mbulim satelitor shumë-shtresor, duke garantuar pamje të vazhdueshme të fushëbetejës informative dhe kontroll total situacional gjatë gjithë operacionit.
Në të njëjtën kohë, sipas burimeve pranë administratës amerikane, ky inkursion ushtarak u zhvillua paralelisht si një operacion i depërtimit psikologjik dhe institucional, duke aktivizuar kanale të brendshme brenda aparatit ushtarak venezuelian. Kjo qasje synonte fragmentimin e zinxhirit të besnikërisë dhe krijimin e çarjeve të kontrolluara në një strukturë që për vite me radhë ishte mbajtur nën disiplinë represive, survejim ekstrem dhe paranojë sistemike.
Rezultati në terren ishte asimetrik dhe vendimtar: një regjim i ndërtuar mbi frikë dhe izolim u përball me një kundërshtar që operonte me informacion superior, manovrim të padukshëm dhe dominim të plotë të hapësirës operative.
Operacioni i Delta Force “Maduro Jashtë” aktivizoi mbi 150 avionë ushtarakë, të cilët u ngritën nga 20 baza të ndryshme, brenda dhe jashtë territorit amerikan, përfshirë edhe aeroplanmbajtëse. Në ajër u angazhuan avionë F-35, bombardues B-1, dronë dhe helikopterë Apache – një shfaqje force që Presidenti Trump e cilësoi si “veprimin më mbresëlënës që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Gjatë natës, avionët amerikanë goditën disa objektiva strategjikë në dhe rreth Karakasit: portin La Guaira, aeroportin Higuerote, bazat ushtarake La Carlota dhe objektivin kryesor – kompleksin e blinduar Fuerte Tiuna, ku ndodhej Maduro së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores.
Në vetëm 46 sekonda, sipas versionit zyrtar të Presidentit Trump, forcat speciale hynë në dhomën ku ndodhej çifti presidencial. Maduro tentoi të strehohej në një dhomë të blinduar me derë çeliku, por nuk arriti ta mbyllte. Ai u ndalua, u prangos dhe u përball me urdhër-arrestin e lëshuar nga prokurorët e Nju Jorkut, i dorëzuar nga agjentë të FBI-së.
“Nuk ishte akt lufte, por zbatim i ligjit”, deklaroi Rubio.
Mesazhi strategjik është i pakthyeshëm: arkitektura e sigurisë globale kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetëm SHBA disponon kapacitetin, fuqinë projektuese, disiplinën profesionale dhe superioritetin informativ për të planifikuar dhe ekzekutuar operacione të këtij niveli kompleksiteti, në çdo cep të globit.
Arrestimi i Maduro-s, siç u artikulua nga Presidenti Trump, shërben si sinjal paralajmërues strategjik për çdo diktator, autokrat apo rrjet kriminal shtetëror që sfidon rendin ndërkombëtar: imuniteti politik ka marrë fund. Regjimi i Maduro-s dhe klani i tij ndërtuan pushtetin mbi shtypje sistematike, grabitje të pasurive kombëtare, manipulim zgjedhor dhe asgjësim të opozitës politike. Shteti ishte shndërruar në platformë kriminale, e mbështetur në trafik droge, armësh, terror shtetëror dhe aleanca me regjime antidemokratike. Arroganca ndaj ligjit ndërkombëtar u përplas drejtpërdrejt me realitetin e forcës.
Ky operacion ka prodhuar një efekt zinxhir psikologjik dhe strategjik mbi elitat e korruptuara në Kubë, Kolumbi, vendet aspirante të BRICS-it dhe pa dyshim edhe te liderët e Ballkanit Perëndimor – liderë që mbahen në pushtet përmes krimit të organizuar, drogës, korrupsionit dhe represionit, duke zbrazur vendet e tyre nga qytetarët dhe shpresa.
Arrestimi spektakular në fillim të vitit 2026 vjen në një moment kritik, kur është sinjalizuar faza e pastrimit të politikës shqiptare dhe ballkanike nga figura të tipit “RaMaduro” – politikanë të lidhur me rrjete transnacionale të narkotrafikut në Amerikën Qendrore dhe Latine, të cilët riciklojnë kapitalin kriminal në Ballkanin Perëndimor.
Ora strategjike po numëron mbrapsht.
Drejtësia ndërkombëtare është në lëvizje.
Dhe kur makineria globale e ligjit aktivizohet, askush nuk mbetet jashtë rrezes së saj.
Ky operacion, që tashmë konsiderohet si një nga ndërhyrjet më komplekse dhe më të debatueshme të politikës së jashtme amerikane në dekadat e fundit, pritet të shkaktojë pasoja strukturore të pakthyeshme për Venezuelën dhe përtej rajonit. Ai përfaqëson eliminimin më kompleks të një “narko-shteti”, me të cilin për vite ishin zhvilluar negociata për rrugëdalje, por pa sukses, pavarësisht misioneve të fshehta diplomatike.
Shënim:
(Autori është doktor shkence, staf i rregullt akademik dhe profesor në programin e Studimeve të Sigurisë në UBT, i profilizuar në politikat kombëtare të sigurisë dhe inteligjencës.)
