Kompania e duhanit Philip Morris mund të ndalojë shitjen e cigareve në Britaninë e Madhe brenda 10 vjetësh, që do të thotë se marka e saj kryesore, Marlboro, do të zhdukej nga dyqanet britanike.
Autoritetet britanike së fundmi njoftuan se ata duan të ndalojnë pirjen e duhanit në vend deri në vitin 2030, dhe drejtori ekzekutiv i Philip Morris, Jacek Olczak, njoftoi se kompania dëshiron të ndihmojë këtë fushatë.
“Unë mendoj se problemi i pirjes së duhanit mund të zgjidhet në Britaninë e Madhe në një maksimum prej 10 vjetësh”, tha Olczak.
Kryetarët e shoqatave që mbështesin heqjen e pirjes së duhanit në Britani thonë se deklarata të ngjashme kanë ardhur nga kjo kompani më parë.
“Philip Morris po pretendon prej vitesh se dëshiron të ndalojë pirjen e duhanit. Por si t’i marrësh seriozisht pretendimet e tilla nga një kompani që shet më shumë se një në 10 cigare të tymosura në të gjithë botën”, tha Deborah Arnot nga Action on Smoking and Health (ASH).
Arnot tha se ndërprerja e pirjes së duhanit deri në vitin 2030 duhet të jetë një përparësi e qeverisë dhe se ajo ndoshta vrau më shumë njerëz sesa COVID-19 vitin e kaluar në Britaninë e Madhe, dhe se paralajmërimet nga Philip Morris nuk janë zgjidhja, por se financimi për fushatat për të ndryshuar sjelljen e duhanpirësve është e nevojshme.