Ndonëse Ligji për Shëndetin Mendor ishte miratuar në vitin 2015, ky ligj është ballafaquar me ngecje në zbatim, madje nuk janë hartuara as aktet nënligjore që nevojiten për zbatueshmërinë e këtij ligji. Kështu thotë draft-raporti i monitorimit të këtij ligji, i bërë nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, raport ky i cili nuk u miratua as sot për shkak të mungesës së kuorumit, pasi mbledhjen e Komisionit e lëshoi deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Floretë Zejnullahu.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Burim Karameta tha se përkundër progresit në ofrim të disa shërbimeve për pacientët me çrregullime mendore, Ligji për Shëndet Mendor nuk është zbatuar.
Sipas tij, në institucionet shëndetësore nuk ka personel të mjaftueshëm, e po ashtu ka theksuar se ka edhe mungesë të buxhetit dhe të barnave për trajtim të këtyre pacientëve.
“Komisioni konsideron se edhe pse ka pasur progres në ofrimin e disa shërbimeve të shëndetit mendor, ka pasur mjaftë ngecje në zbatimin e këtij ligji, nuk janë nxjerr aktet nënligjore të nevojshme dhe nuk janë funksionalizuar departamentet dhe komisionet e parapara me ligj, nuk ka pasur personel të mjaftueshëm dhe buxhet e barna për shumë institucionet që merren me trajtimin e personave me çrregullime mendore. Disa nga institucionet që merren me trajtimin e personave me çrregullime mendore nuk kanë të rregulluar as statusin e tyre dhe nuk kanë miratuar as statutet e këtyre institucioneve. Mungon komunikimi ndërinstitucional”, theksoi ai.
Karameta para anëtarëve të Komisionit paraqiti disa nga rekomandimet që kanë dal nga ky raport, e ndër to ishte edhe hartimi i një ligji të ri për Shëndetin Mendor.
Komisioni përmes këtyre rekomandimeve ka paraparë që të ndërtohen edhe dy institucione shëndetësore për trajtim të të miturve me çrregullime mendore dhe trajtimin e personave me sëmundje të varësisë.
“Ministria e Shëndetësisë të hartoj një ligj të ri për Shëndetin Mendor, të integruar avancuar dhe me kompetenca të qarta për institucionet zbatuese, të hartohen aktet nënligjore me kohë siç parashihet me ligj, sa për informatën tuaj ky ligj ekziston që nga viti 2015 përbëhet prej 35 neneve janë paraparë që të nxirren rreth 11 akte nënligjore dhe departamenti që funksionon në kuadër të MSH-së deri më tani ka arritur të nxjerr vetëm 1 akt të tillë nënligjor[…]Të ndahet buxhet dhe barna të mjaftueshme dhe adekuate për trajtimin e pacientëve me çrregullime mendore, të rregullohen procedurat për trajtim të burgosurve me çrregullime mendore[…]Të rregullohet statusi i disa institucioneve që merren me trajtimin e pacientëve me çrregullime mendore dhe të miratohen statutet e këtyre institucioneve”, u shpreh Karameta.
Këto rekomandime i ka mbështetur edhe deputeti Armend Zemaj anëtar i këtij Komisioni nga radhët e LDK-së. Sipas tij, nevoja për një strategji kombëtare për shëndetin mendor është tejet e domosdoshme.
“Në parim pajtohem me rekomandimet dhe nuk ka diçka që ka fshehur ky raport dhe gjendja që është në institucionet tona mendore sa i përket shëndetit mendor vetë rekomandimet flasin por edhe të gjeturat që ligji nuk është zbatuar tërësisht apo pjesërisht, nuk ka staf që është esenciale të mjaftueshëm janë bërë disa avancime qoftë edhe në pjesën që lidhet me specializime por mungesa e buxhetit dhe infrastrukturës dhe barnave duhet të kthehet tek fokusi. Hartimi i një plani strategjik kombëtar për shëndetin mendor është më së i domosdoshëm”, theksoi ai.
Ndërsa, Mirsad Shkreta nga Lëvizja Vetëvendosje u shpreh se Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që të hartojë politika për kategoritë për të cilat kanë shumë nevojë për trajtim.
Duke e konsideruar drithërues të gjeturat e raportit për monitorim të Ligjit për Shëndetin Mendor, deputeti Shkreta theksoi se për trajtim të këtyre pacientëve nuk ka asnjë udhërrëfyes klinik.
“Raporti tregon dhe është drithërues kur shikon se sa është zbatuar ligji dhe sa është përcjell me infrastrukturën tjetër ligjore me akte nënligjore e për më tepër nuk ka asnjë udhërrëfyes klinik. Po t’i shihni institucionet është për të ardhur keq për mënyrën se si trajtohen, të njëjtat kur janë ndërtuar edhe fizikisht nuk e kanë vendim më aty shembulli i qendrës në Shtime”, u shpreh Shkreta.
Ndonëse pa kuorum dhe me prezencë të vetëm deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Komisioni për Shëndetësi diskutoi edhe për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.