Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka diskutuar mënyrën e intervistimit të zyrtarëve institucionalë, duke u pajtuar që dëgjimet të zhvillohen në seanca të hapura për publikun, përveç rasteve kur trajtohen informacione konfidenciale.
Gjatë mbledhjes, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime nga kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, lidhur me mosdërgimin e kërkesave për dokumentacion në të gjitha institucionet, ndonëse, sipas saj, një gjë e tillë ishte dakorduar më herët.
Ramadani sqaroi se kjo kishte ndodhur për arsye teknike dhe siguroi se një situatë e tillë nuk do të përsëritet.
Ai bëri të ditur se më 27 nëntor janë planifikuar të ftohen për intervistim hetuesit policorë, ndërsa nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor pritet të intervistohen zyrtarë të zinxhirit komandues të Policisë dhe Inspektoratit.
Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, propozoi që intervistimet të zhvillohen në dy faza: fillimisht me pyetje të përgjithshme në seanca të hapura për publikun dhe më pas me pyetje që përfshijnë të dhëna personale ose konfidenciale në seanca të mbyllura.
Ky propozim u mbështet edhe nga deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, i cili u pajtua që pjesët e intervistimeve që përmbajnë informacione konfidenciale të zhvillohen pa praninë e publikut.
Edhe Kica-Xhelili rekomandoi që intervistimi i zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale të mbahet me dyer të mbyllura, për shkak se pyetjet mund të përfshijnë informacione lidhur me fëmijën.
Në përfundim, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, tha se pala që intervistohet duhet të kërkojë mbylljen e seancës dhe ta arsyetojë kërkesën, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga Komisioni përmes votimit. /E.A/
Foto: Ekonomia online
