Deputeti i PDK-së dhe propozuesi i projektligjit, Përparim Gruda, ka deklaruar para Kuvendit se Dhomat e Specializuara u themeluan fillimisht mbi pretendimet për trafikim organesh, por proceset gjyqësore në Hagë provuan se akuza të tilla nuk kanë ekzistuar.
Gruda sqaroi se ndryshimet e propozuara nuk e mbyllin Gjykatën Speciale, por synojnë t’i kufizojnë një pjesë të juridiksionit, veçanërisht atë që lidhet me krimet e luftës. Sipas tij, gjykata nuk duhet të merret me raste që dalin jashtë qëllimit primar mbi të cilin ajo u krijua.
Ai argumentoi se struktura aktuale e gjykatës ka tejkaluar qëllimin primar për të cilin u krijua, duke u marrë me raste që nuk lidhen me bazën mbi të cilën u miratua fillimisht ky institucion.
Nis seanca e Kuvendit, pika e parë ndryshimet për Gjykatën Speciale
Me më shumë se një orë vonesë, ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pas verifikimit të kuorumit u konstatua prania e 101 deputetëve në sallë.
Pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nismë kjo që ka marrë vëmendjen kryesore të zhvillimeve politike sot.
Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet për Specialen
Komisioni për Legjislacion ka miratuar të hënën, në një mbledhje urgjente para seancës plenare, Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dokumenti u votua njëzëri nga 9 deputetët e pranishëm, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Gjatë arsyetimit të nismës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, theksoi se përmes këtij ndryshimi të ligjit të zakonshëm synohet t’i hiqet një pjesë e juridiksionit Gjykatës Speciale, konkretisht ajo e krimeve të luftës, pa prekur Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare.
Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli, konfirmoi mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke cilësuar se lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë dhe se katër krerët e saj duhet të prezumohen të pafajshëm.
Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësoi se procesi gjashtëvjeçar dëshmoi se qëllimi i themelimit të kësaj gjykate është tejkaluar, duke shtuar se ligjet nuk janë të pandryshueshme dhe institucionet duhet të reflektojnë sipas nevojave të kohës. /E.A/
