UBT News

Komisioni për Ekonomi s’e miraton propozimin e Qeverisë për anëtarë të bordit të ARKEP-it

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike nuk e ka votuar propozim-vendimin e Qeverisë për zgjedhjen e bordit të ARKEP-it.

Votimi është shtyrë për mbledhjen e së martës në ora 13:00, në mënyrë që më pas të procedohet për në Kryesinë e Kuvendit.

Kryetari i komisionit, Endrit Shala tha se i kanë kërkuar ministrisë përkatëse që të procedohet me emrat e bordit të ARKEP-it.

“Në përputhje me ligjin e kemi detyrë ta procedojmë në seancë plenare për miratim. Nëse nuk gjejmë dakordancë që ta procedojmë për Kuvend, iu lus për miratim”, deklaroi ai.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se përfaqësuesit mund të lidhen me subjekte politike dhe se kjo listë është e papranueshme për të, duke marrë për bazë edhe përfaqësimin e vetëm një femre.

“Dhe zotëri Avdullah Hoti për bordin e ARKEP që e ka parasysh, nëse prej 5 kandidatëve vetëm një është grua, atëherë për çfarë të drejta është tu fol. Qeveria ka përzgjedhur këta emra. Dhe kjo listë është e papranueshme për ne”, deklaroi ajo.

Deputeti i AAK-së, Palë Lekaj theksoi se sa i përket listës të gjithë i përmbushin kushtet e përcaktuar me e Ligj.

“Mua më intereson përgatitja profesionale dhe a e kanë këtu të dëshmuar dhe ne si Komision nuk mund të kthejmë emrat në Qeveri. Ne jemi vetëm për të delegua në Kuvend dhe ai vendos. Unë nuk e thashë që kriter është partia. Nuk bënë pjesë në asnjë instancë ekzekutive të Aleancës. Sa i përket barazisë gjinore duhet mu përcaktua sipas ligjit”, deklaroi Lekaj.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati tha se këta persona nuk duhet të emërohen pa konkurs, raporton EO.

Kurse deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi afat deri në mbledhjen e radhës.

Exit mobile version