UBT News

Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt interviston sot tre zyrtarë institucionalë

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, do të vazhdojë sot me intervistimin e zyrtarëve përgjegjës.

Në mbledhjen që nis në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës, para anëtarëve të këtij komisioni pritet të japin dëshmitë e tyre drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, zyrtarja për Barazi Gjinore në po këtë komunë, Samka Drançolli, si dhe drejtori i departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Blerim Shabani.

Këto intervistime vijnë në kuadër të hetimeve parlamentare për të zbardhur përgjegjësitë e institucioneve para ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku viktima u vra nga ish-kunati i saj, vetëm dy ditë pasi para këtij komisioni dëshmoi edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ndërkaq, krahas punimeve të këtij komisioni, në Kuvendin e Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili do të zhvillojë një takim të përbashkët me Komitetin për Mbrojtje dhe Siguri të Odës Ekonomike Amerikane. /E.A/

Exit mobile version