Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka publikuar Politikën Rekomanduese për Shëndetin e Fëmijëve. Përmes kësaj, ata kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë adresimin e çështjeve të ngritura dhe imunizimin e fëmijëve.
Donjetë Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive në KOMF tha se çështjet e përmendura duhet të ri-adresohen nga MSh.
“Sot u publikua Politika rekomanduese për shëndetin e fëmijëve e cila është hartuar në kuadër të grupit tematik për shëndetësinë në kuadër të koalicionit OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve. Ky dokument ofron të dhëna për çështjet prioritare të cilat duhet të ri-adresohen nga Ministria e Shëndetësisë por edhe nga komunat, drejtoratet komunale për Shëndetësi”, ka thënë ajo.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, u shpreh se ka përkushtimin e plotë dhe se programi për nëna dhe fëmijë do të zgjerohet.
“Ministria e Shëndetësisë ka përkushtimin e plotë duke vendosur edhe një këshilltar nga komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian e cila aq sa e di unë në kabinet është zhvilluar edhe bashkëpunimi me vaksinimin kundër Covid-19 dhe besoj që ka pasur sukses ndoshta jo të kënaqshëm siç e shprehet ju, por ka pasur ndikim. E dyta tek gjidhënia kemi një program me cilin bashkëpunon Ministria e Shëndetësisë dhe në 22 komuna me programin për nëna dhe fëmijë, kjo planifikohet që të zgjerohet dhe në fund të mbeten detyrat e punëtorit shëndetësor për kujdesin parësor që të ndikoj tek gjidhënia që të rriten shëndetshëm”, ka thënë ai.
Muhamet Arifi nga Balkan Sunflowers, kërkon imunizimin e fëmijëve, pasi sipas tij, në dy vitet e fundit rreth 60% të fëmijëve nuk janë imunizuar.
“Ne si organizatë Balkan Sunflowers jemi duke punuar me komunitet Rom, Ashkali dhe Egjiptian që një dekadë dhe provoja jonë, hulumtimet tona, projektet tona, raportet tona tregojnë një situatë jo të mirë, kryesisht ka të bëjë me mos-imunizimin e fëmijëve. Pandemia ka ndikuar në mënyrë negative, diku 60% e fëmijëve nuk janë imunizuar këto dy vitet e fundit dhe ne përmes projekteve të ndryshme tentojmë me rritë përqindje. Një prej problemeve është që ligji ekziston, imunizimi është obligativ por nuk ka mekanizma dhe masa ndëshkuese që prindërit nuk i imunizojnë fëmijët. Kështu që ne po kërkojmë një prej rekomandimeve që Ministria e Shëndetësisë me e rregullu këtë çështje që fëmijët me u imunizu”, ka thënë Arifi.
Çështjet e ngritura në këtë konferencë ishin: Gjidhënia, imunizimi, shërbimet shëndetësore për fëmijët e komuniteteve, mbrojtja e shëndetit mendor të fëmijëve, dhe Ligji për Sigurime Shëndetësore.