UBT News

​Komercialja dënon me rreth 550 mijë euro kompaninë “Sigal” për dëmin e pa siguruar

Gjykata Komerciale e Kosovës ka obliguar kompaninë e sigurimeve “Sigal” që të paguajë 548 mijë euro, pavarësisht se kjo kompani kishte ofruar zero euro për disa dëme materiale që mund të vinin nga procese natyrore sikurse rrëshqitja e dheut.

Gjykata Komerciale ka urdhëruar “Sigal Uniqa Group Austria” të paguajë dëmshpërblim ndaj “Eurokos Holding”, edhe pse në policën e sigurimit ishte shënuar qartë se rrëshqitja e dheut dhe fatkeqësi të ngjashme nuk mbuloheshin financiarisht.

“Pranohet pjesërisht kërkesëpadia e paditësit Eurokos Holding, e datës 20 janar 2022, ndaj të paditurës Shoqëria e Sigurimit SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, me seli në Prishtinë. Obligohet e paditura që paditësit t’i paguajë shumën prej 548 mijë e 168 euro me kamatë ligjore, prej ditës së padisë, deri në pagesën përfundimtare, si dhe shpenzimet procedurale në shumën prej 3 mijë e 500 euro”, thuhet në vendim.

Rasti lidhet me dëmet e shkaktuara gjatë ndërtimit të hidrocentralit “Lepenc 3”, ku ndodhi rrëshqitje dheu që solli dëme të konsiderueshme materiale.

“Eurokos Holding” dhe “Hidroenergji” kërkuan kompensim nga kompania e sigurimeve, duke pretenduar se policat e lidhura garantonin mbulim për këto rreziqe.

Dokumenti i policës së sigurimit përfshinte një listë të gjerë rreziqesh si zjarri, përmbytjet, tërmetet, madje edhe rrëshqitjet e dheut. Megjithatë, pranë këtij të fundit dhe disa rreziqeve të tjera ishte vendosur shuma zero euro mbulim, një formulim kontraktual që në praktikën e sigurimeve do të thotë se ato rreziqe nuk mbulohen.

Gjykata Komerciale vendosi të aprovojë pjesërisht kërkesën e “Eurokos Holding”, duke e detyruar siguruesin të paguajë mbi gjysmë milion euro për dëmet materiale të provuara./S.K/KP/

Exit mobile version