Një njeri pa përvojë në politikë u bë presidenti i vendit me popullsi milionëshe. Nëse ngritja në politike e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të tingëllojë sikurse shfaqje televizive – ajo realisht është.
Para se të merrte post politik, Zelensky ishte ylli i “Servant of the People”, serialit të zhanrit komedi që filloi në vitin 2015. Ngjarja shfaq një mësues që bëhet president pasi një video e tij për politikën u bë virale.
Kjo shfaqje po transmetohet tani në Britani të Madhe çdo të diele mbrëma në Channel 4, ku rreth 100 mijë njerëz u mblodhën të dielen e 6 marsit (kur edhe filloi transmetimi i serialit në Channel 4) për shkak të presidentit Zelensky. Një shikuese tha se kjo shfaqje e shtyu atë që “ta admirojë edhe më shumë” Zelenskyn. Ngjarjet botërore ka shumë të ngjarë të kenë qenë faktori kryesor në vendimin e Channel 4 për të transmetuar tani emisionin. Ndërkohë që transmetues nga e gjithë bota janë në garë për të blerë të drejtat autoriale të shfaqjes për ta transmetuar atë.
Si president i Ukrainës, Zelensky është përballur me pushtimin e forcave ruse që nga fundi i muajit shkurt. Ai mori lëvdata për përballjen me luftën, duke u bërë thirrje qytetarëve për të “larguar këtë të keqe” dhe duke qëndruar në kryeqytetin e Kievit gjatë sulmeve nga forcat e presidentit rus , Vladimir Putin.
Melanie Daffin është një prej mijëra shikuesve që e panë shfaqjen “Servant of the People” që u transmetua të dielën mbrëma në Britani të Madhe.
“Më bën ta admirojë edhe më shumë, duke shkuar nga njëra anë e spektrit në tjetrën – nga komedian në një person që po admirohet nga e gjithë skena botërore për patriotizëm dhe qëndrueshmëri. E dëshmoi veten se është lider i jashtëzakonshëm dhe liderët botërorë duhet ta ndjekin shembullin e tij”, deklaroi mes tjerash Melanie.
Ndonëse vetëm tri episode u transmetuan në Channel 4 të dielën, Melanie e ka në plan t’i shikojë të gjitha – 48 sa janë gjithsej./UBTNews/