UBT News

Komediani turk Deniz Goktas dënohet me mbi 19 muaj burg për fyerje ndaj Erdoganit dhe fesë

Komediani turk Deniz Goktas, 32 vjeç, është dënuar me mbi 19 muaj burg nga një gjykatë në Stamboll, pasi u shpall fajtor për fyerje ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe vlerave fetare. Pavarësisht dënimit, gjykata ka urdhëruar lirimin e tij të përkohshëm deri në vendimin e shkallës së dytë në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë, Goktas u shpall i pafajshëm për akuzën e tretë, atë të glorifikimit të krimeve, e cila lidhej me një shaka rreth grupit të organizuar kriminal të njohur si “Daltons”.

Çështja gjyqësore rjedh nga shfaqja e tij stand-up “Dead Sea”, e cila u bë virale në internet. Videoja e publikuar në YouTube arriti afro 9 milionë shikime, ndërsa fragmente të saj u shpërndanë gjerësisht në rrjetin social X. Sipas aktakuzës, Goktas e kishte cilësuar presidentin Erdogan si “diktator” në njërën nga batutat e tij, si dhe kishte bërë shaka me Islamin dhe fundamentalizmin fetar.

Sipas organizatës turke Media and Law Studies Association, ndaj komedianit me bazë në Stamboll janë paraqitur më shumë se 500 ankesa zyrtare për këtë performancë.

32-vjeçari u arrestua më 3 korrik, vetëm një javë pas publikimit të shfaqjes në YouTube, dhe ka qëndruar në paraburgim deri me sot.

Seanca gjyqësore u përcoll me mbështetje të madhe nga publiku. Rreth 50 persona u mblodhën përpara gjykatës në Stamboll në shenjë solidariteti, teksa në sallë morën pjesë gazetarë, kolegë humoristë nga klubi “TuzBiber”, si dhe vëzhgues nga Ambasada e Holandës dhe Konsullata e SHBA-së.

 

Exit mobile version