UBT News

Kombinim i ri ilaçesh ngadalëson përparimin e kancerit të avancuar të prostatës

Një studim i ri ndërkombëtar ka treguar se një kombinim ilaçesh mund të ngadalësojë ndjeshëm përparimin e kancerit të avancuar të prostatës te burrat me mutacione të caktuara gjenetike.

Kërkimi, i udhëhequr nga University College London dhe i botuar në Nature Medicine, analizoi efektin e shtimit të ilaçit niraparib, një inhibitor i PARP – në trajtimin standard me abiraterone acetate dhe prednisone.

Në studimin “Phase III AMPLITUDE”, morën pjesë 696 burra nga 32 vende, me moshë mesatare 68 vjeç, të gjithë me kancer të përhapur dhe me mutacione në gjenet përgjegjëse për riparimin e ADN-së (HRR). Më shumë se gjysma kishin mutacione në BRCA1 ose BRCA2.

Sipas prof. Gerhardt Attard nga UCL Cancer Institute, shtimi i niraparibit vonon rikthimin e kancerit e zgjatë jetëgjatësinë e pacientëve me këto mutacione.

Ai theksoi se rezultatet mbështesin testimin gjenetik që në momentin e diagnostikimit, për të identifikuar pacientët që përfitojnë më shumë nga trajtimet e synuara. Trajtimi u tolerua mirë, por u vërejtën më shumë raste të anemisë dhe tensionit të lartë të gjakut te pacientët që morën niraparib.

Autorët theksojnë se rezultatet janë premtuese, por kërkohet më shumë studim për të vlerësuar përfitimet afatgjata dhe ndikimin e metodave të reja të diagnostikimit. Çdo vit, në mbarë botën, rreth 1.5 milionë burra diagnostikohen me kancer të prostatës. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version