Kombëtarja e Kosovës U17 ka zhvilluar kampin e radhës dyditor seleksionues në kuadër të përgatitjeve për raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian U17 2027, i cili do të mbahet në fund të këtij muaji në Antalia.
Përzgjedhësi Arbnor Morina dhe stafi i tij kanë pasur në dispozicion futbollistë nga klubet vendore, kryesisht të gjeneratës 2009, për të cilët ky është cikli i fundit në këtë grupmoshë.
Para udhëtimit drejt Antalias, përfaqësuesja U17 do të zhvillojë edhe një grumbullim dyditor në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, ku do të përgatiten futbollistët që do të udhëtojnë për ndeshjet kualifikuese.
Kosova bën pjesë në Grupin 7 të Ligës B, ku më 25 mars do të përballet me Kombëtaren e Holandës U17, ndërsa më 28 mars do të luajë kundër Kombëtares së Bjellorusisë U17.
Këto ndeshje do të jenë një test i rëndësishëm për futbollistët e rinj të Kosovës, të cilët synojnë paraqitje sa më të mirë në këtë fazë të kualifikimeve evropiane.
