UBT News

Kombëtarja e Belgjikës emëron trajnerin e ri

Federata e Futbollit të Belgjikës ka njoftuar se ka emëruar francezin Rudi Garcia si trajnerin e ri të Kombëtares së Belgjikës, pas shkarkimit të Domenico Tedescos. Garcia, një trajner me përvojë të madhe në nivele të larta, do të marrë drejtimin e kombëtares pas një periudhe zhgënjyese për Belgjikën, e cila përfundoi herët në EURO 2024 dhe pati një performancë nën pritshmëritë në Ligën e Kombeve.

Federata e Futbollit të Belgjikës ka deklaruar se do të prezantojë zyrtarisht Garcia në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme, duke i dhënë atij mundësinë të shpalosë planet e tij për të ringritur kombëtaren. Garcia, i cili ka drejtuar skuadra të njohura si Napoli, Lyon, Roma, dhe Al Nassr, do të përpiqet të sjellë një rigjallërim në ekip pas rezultateve të dobëta nën drejtimin e Tedescos.

Pas shkarkimit të trajnerit italo-gjerman Domenico Tedesco, i cili ishte emëruar në shkurt 2023 për të zëvendësuar Roberto Martinez dhe për të rindërtuar skuadrën pas largimit të “brezit të artë”, Belgjika synon të kthehet në udhën e suksesit. Tedescos u largua pas një daljeje të shpejtë nga EURO 2024 dhe performancës jo të mirë në Ligën e Kombeve, ku Kombëtarja e Belgjikës është e detyruar të luftojë në një “play-off” për të mbajtur vendin në elitën e futbollit evropian, me një përballje ndaj Ukrainës në mars.

Rudi Garcia, i njohur për stilin e tij të menaxhimit dhe eksperiencën në nivele të larta, gjithashtu drejtoi Marseille dhe Napoli, ku përvoja e tij ka përfshirë menaxhimin e klubeve të njohura në Europë dhe jashtë saj. Garcia do të ketë një sfidë të rëndësishme përpara, pasi Kombëtarja e Belgjikës e nis fushatën e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 me një udhëtim në Maqedoninë e Veriut në qershor.

Pritshmëritë për Garcia janë të larta, pasi Belgjika kërkon një rikthim të shpejtë dhe të suksesshëm në arenën ndërkombëtare./UBTNews/

Exit mobile version