Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka uruar të gjithë personelin ushtarak dhe civil të FSK-së me rastin e “Ditës së Forcës”, duke shprehur mirënjohje për kontributin dhe angazhimin e tyre në shërbim të vendit.
Në mesazhin e tij të urimit, Jashari ka vlerësuar se falë punës së palodhshme të pjesëtarëve, FSK-ja sot është më e përgatitur se kurrë dhe qëndron krah për krah me partnerët ndërkombëtarë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë.
“Të nderuar ushtarë, nënoficerë, oficerë, kadetë dhe shërbyes civil të Forcës së Sigurisë së Kosovës, falë përkushtimit dhe punës suaj të palodhshme, sot jemi më të përgatitur se kurrë, duke u radhitur krah për krah me partnerët tanë në mbrojtje të paqes dhe sigurisë kudo në botë. Në këtë ditë të veçantë, le të reflektojmë së bashku në të kaluarën tonë dhe të nderojmë sakrificat e të gjithë atyre brezave të cilët janë meritorët më të mëdhenj të lirisë të cilën e gëzojmë sot”, thuhet në urimin e komandantit të FSK-së.
Në përmbyllje të mesazhit, gjenerallejtënant Jashari ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së për shërbimin ndaj atdheut dhe punën e vazhdueshme për avancimin e ushtrisë. /E.A/
