Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka fituar njërin nga çmimet prestigjioze që organizata ndërkombëtare “Peace and Sport” (Paqja dhe Sporti) ndanë çdo vit.
KOK-u ka fituar çmimin për aktivitetin e organizuar gjatë pandemisë “6 Prill – Iniciativa e Vitit”, në të cilën u përfshinë rreth 5 mijë persona, të cilët me letër të bardhë krijuan foto dhe video duke bërë sport gjatë qëndrimit në shtëpi, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, ministrja Vlora Dumoshi etj.
Kampanjës iu bashkuan qindra organizata të huaja, ndërsa në total numri i pjesëmarrësve sipas “Peace and Sport” ishte më shumë se 117 milionë!
Për të fituar këtë çmim, KOK-u ishte në konkurrencë të ngushtë me Federatën Ndërkombëtare të Xhudos, Ministrinë e Edukimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit të Gjeorgjisë, Sekretariatin e Shtetit për Sport dhe Rini në Ministrinë e Edukimit të Portugalisë dhe Organizatën “Sport for Life” të Palestinës, ndërsa për çmimin e të parit vendosi Juria dhe votuesit.
Shkaku i pandemisë Covid 19, ceremonia e shpërblimeve u mbajt ‘online’, ndërsa çmimin për KOK-un e zbuloi kampioni Olimpik “Athina 2014” në pingpong, jug-koreani Seung Ming Ryu, njëherit medalist i argjendtë në LO Londra 2012 dhe i bronztë në Pekin 2008.
Në emër të KOK-ut, presidenti Besim Hasani, falënderoi pjesëmarrësit e kampanjës, Jurinë e “Peace and Sport” dhe gjithë votuesit.
“Është një nder jashtëzakonisht i madh për ne të fitojmë një çmim kaq prestigjioz të organizatës kredibile “Peace and Sport”. Jam shumë i nderuar dhe mirënjohës për jurinë, iu përkulemi votuesve në gjithë botën që u frymëzuan, duke na votuar ne”, tha presidenti Hasani.
“Peace and Sport” është organizatë me seli në Monako dhe që funksionon nën patronatin e Princit të Monakos, Albertit të Dytë. Organizata promovon paqen dhe sportin në botë. Anëtarë të saj janë shumë kampionë Olimpikë e botërorë, që kanë lënë gjurmë në karrierën e tyre sportive.