Ronald Koeman ka pranuar se do të ishte më mirë sikur Luis Suarez t’i bashkohej Juventusit në vend të Atletico Madridit.
Uruguaiani kaloi gjashtë vite të suksesshme te Barcelona, ndërsa në verën e kaluar u largua nga Camp Nou për të nënshkruar me Los Rojiblancos për gjashtë milionë euro.
Suarez u konsiderua tepricë nga Koeman, ndërsa për shërbimet e tij hynë në garë Juve dhe Atletico, ndërsa fitimtare doli skuadra spanjolle për shkak të problemeve me shtetësinë italiane dhe akuzat se sulmuesi kishte mashtruar në testin e gjuhës.
34-vjeçari nënshkroi kontratë dyvjeçare dhe në 16 ndeshje të zhvilluara ka shënuar 14 gola për ekipin e Diego Simeones duke i ndihmuar që të kryesojë La Ligan me 10 pikë diferencë nga përcjellësi i parë.
“Jemi duke bërë ndryshime dhe natyrisht, do të kishte qenë më mirë sikur Luis Suarez të nënshkruante me Juventusin në vend të Atletico Madridit, sepse është akoma në ligën spanjolle”, u shpreh fillimisht Koeman.
“Por, ishte një vendim që duhej ta merrnim, vërtetë i vështirë, por duke e respektuar lojtarin dhe mendoj se kjo ka rëndësi. Dhe akoma pajtohem me atë që e kemi bërë në atë kohë”, ka thënë Koeman për The Athletic.