Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës-PDAK dhe Lëvizja për Bashkëveprim kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Partisë së Ashkalinjëve për Integrim. Për këtë të fundit ata predentojnë ka orkestruar votat e diasporës. Në konferencë për media koalicioni i PDAK-LPB i kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merret me këtë çështje.
Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjëve të Kosovës, Qazim Rrahmani tha se bëhet fjalë për 500 deri në 700 vota.
“Pas datës 9 shkurt neve na kanë ardhur disa emaila, disa fakte, rivaliteti jonë politik- Partia e Ashkalinjëve për Integrim ka orkestruar vota të diasporës në grupe të organizuara, në grupe të caktuara ku kanë votuar një person për 50, 60 njerëz. Po ashtu, kanë marrë karta të identitetit, letërnjoftime, i kanë regjistruar vet si të tillë, i kanë marrë dëftesat e regjistrimit vet ato dhe po ashtu vet kanë votuar dhe vet i kanë paguar votat. Ne si koalicion PDAK dhe LPB jemi marrë qysh nga dita e marrjes së fakteve nga njerëzit, jemi marrë me këtë çështje dhe kemi dërguar lëndët tona, faktet tona në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Kemi dërguar ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme dhe rezultati i ngushtë i cili është mes PDAK LPB dhe PAI mund të bëjë deri në fund të rezultatit final, votat e diasporës mund ta ndryshojnë edhe vullnetin e qytetarëve ashkalinj”, deklaroi ai.
Ai kërkoi që votat e diasporës për këtë parti të anulohen dhe rezultati të jetë nga vullneti i qytetarëve ashkalinj të Kosovës.
“Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës me votat e sovranit, qytetarëve ashkalinj të Kosovës. Por, votat e diasporës të orkestruara mund ta ndryshojnë këtë rezultat. Andaj nga Prokuroria e Shtetit kërkojmë nga të gjitha organet e drejtësisë që të merren dhe të hetojnë këto fakte të cilat i kemi ofruar në prokurori dhe të merret drejtësia me këtë çështje. Përveç që kërkojmë hetim, kërkojmë edhe anulim të votave të diasporës të subjektit PAI për arsye se ka dëshmi, fakte dhe argumente të gjalla se janë të orkestruara”, shtoi ai.
Edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkëveprim, Jeton Emini tha se historikisht në diasporë komuniteti ashkalinj nuk ka pasur shumë vota.
“Dua të theksoj që kanë organizuar në mënyrë sistematike prej periudhës së regjistrimit të votuesve që ka filluar në gusht e deri në dhjetor, në mënyrë sistematike kanë shkuar në diasporë dhe kanë bërë tubime të tipit të koncerteve dhe ju kanë marrë letërnjoftimin pjesëmarrësve aty. Në këtë rast kanë bërë regjistrimin e votuesve në pajisjet e tyre, telefonat celular dhe pajisje të tjera përcjellëse, në një mënyrë janë bërë pronarë të dëftesës që është si akt themeltar për të ushtruar të drejtën e votës…E kemi deponuar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë si dhe në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal mbi bazën e asaj çka ne pretendojmë dhe çka dyshojmë sa i përket kundërshtarit politik”, deklaroi Emini.
Sipas tij, diaspora mund të jetë vendimtare sa i përket ndryshimit të rezultatit final.
“Kryetari i PAI, Etem Arifi kërkon nga qytetarët të rëndomtë, qytetarë të thjeshtë që nëpër rrjete sociale kërkon letërnjoftime në mënyrë që të bëjë regjistrimin e votuesve dhe kjo është edhe përmes videove. Dhe kjo mund të definohet qartë edhe nga hetuesit për shkak të vërtetësisë se çfarë ka ndodhur prej anës së PAI”, përfundoi ai.
Më 9 shkurt në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e rregullta parlamentare, ku morën pjesë mbi 40% e qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas rezultateve aktuale, në këto zgjedhje parlamentare partia fituese është Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa me 40.90 %, pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 22.03 %, pasuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës me 17.64 %. Koalicioni AAK-NISMA ka marr 7.46 % të votave, ndërsa Lista Serbe me 4.60%.