Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive u ka kërkuar subjekteve politike një fushatë të qetë ku do të përjashtohej mosdurimi, gjuha e urrejtjes dhe veprimet që do të kontribuonin në rëndimin e gjendjes e cila është e keqe në këto rrethana
Sipas KMDLNj-së, mbajtja e zgjedhjeve është përgjegjësi, në radhë të parë e subjekteve politike që garojnë por edhe e votuesve, sidomos ditën kur votohet.
“Më 17.10.2021 në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale përkundër situatës së rënduar epidemiologjike të shkaktuar nga virusi Delta e që thuaja çdo ditë dhjetëra qytetarë humbin jetën kurse qindra infektohen. Në këto rrethana mbajtja e zgjedhjeve është përgjegjësi, në radhë të parë e subjekteve politike që garojnë por edhe e votuesve sidomos ditën kur votohet. KQZ-ë, si autoritet suprem për organizim të zgjedhjeve në Kosovë ka përcaktuar një afat prej 1 muaji për fushatë zgjedhore gjithnjë duke i respektuar rekomandimet e IKSHPK-së e që në masë të madhe kufizon numrin e pjesëmarrësve , si brenda objekteve të mbyllura ashtu edhe në mjedise të hapura. KMDLNj kërkon nga subjektet politike një fushatë të qetë ku do të përjashtohej mosdurimi, gjuha e urrejtjes dhe veprimet që do të kontribuonin në rëndimin e gjendjes e cila është e keqe në këto rrethana. Subjektet politike kanë propozuar që fushata zgjedhore të kufizohet në pesë ditë ndërsa disa të tjera kanë propozuar që fushata të bëhet online, pa kontakte fizike me qytetarë, votues potencial. KMDLNj konstaton se disa subjekte politike dhe kandidatë po bëjnë fushatë një kohë të gjatë dhe i kanë thënë të gjitha ato kanë vlerësuar se paraqesin interes për qytetarin dhe votuesin. KMDLNj kërkon që subjektet dhe kandidatët për zgjedhje lokale të përqendrohen në program dhe premtime që përfshihen në mandatin e tyre, qoftë si kryetar komune apo asambleistë. KMDLNj kërkon nga institucionet përgjegjëse që me rreptësinë më të madhe të mbikëqyrin respektimin e masave anti-Covid dhe në rast se ato nuk respektohen duhet të shqiptojnë dënime shembullore. KMDLNj vlerëson se organizatat që monitorojnë zgjedhjet kanë kapacitet të mjaftueshëm dhe të dëshmuar monitorues dhe profesional të monitorojnë fushatën zgjedhore dhe ditën e votimit si dhe balotazhin eventual. KMDLNj uron të gjitha subjekteve politike një fushatë të mbarë, votim të rregullt si dhe pranim të rezultateve të zgjedhjeve siç kanë vepruar edhe më parë”, thuhet në komunikatë.
KMDLNj thotë se është e drejtë qytetare dhe e drejtë e njeriut e drejta për të votuar dhe kjo duhet të shfrytëzohet.