Skuadra e Aston Villas vazhdon ta ndjek Ernest Muçin. Talenti kuqezi realizoi tri gola në dy ndeshje direkt ndaj tyre, në kohën kur luante në Poloni te Legia Warszava.
Anglezët e drejtuar nga Unai Emery nuk e kanë harruar paraqitjen e yllit shqiptar dhe as që e kanë ndërmend të dorëzohen, pasi në fund të këtij sezoni pritet të nisin një tjetër proces për të siguruar shërbimet e tij.
Aston Villa shfaqi interes për Muçin edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, por në fund diferencën e bënë milionat e Besiktasit, me turqit që paguan 10 milionë euro për të siguruar kartonin e tij nga Legia e Warszavës. Sipas mediave turke, Aston Vila do të tentojë edhe një herë në përfundim të këtij sezoni për të siguruar shërbimet e Muçit, në të njejtën kohë sulmuesi kuqezi është një fiksim i madh i drejtorit sportiv të klubit anglez, Monchi-t.
Sigurisht nuk është e lehtë që Aston Villa t’i rrëmbejë sulmuesin ekipit turk, pasi Muçi është kthyer menjëherë në një titullar dhe po pëlqehet shumë nga tifozët.
Në gjashtë ndeshje me fanellën e Beshiktash, Muçi ka realizuar dy gola, por paraqitja e tij ka qenë e një niveli të lartë./UBTNews/