UBT News

Klubet saudite synojnë transferimin e Raphinhas, ofrojnë pagë marramendëse për yllin e Barcelonës

Klubet e Ligës Profesionale Saudite vazhdojnë përpjekjet për të tërhequr emra të mëdhenj të futbollit evropian, ndërsa objektivi më i ri i tyre është një nga lojtarët kyç të Barcelonës, braziliani Raphinha.

Sipas raportimeve të medias spanjolle Mundo Deportivo, Al Hilal dhe Al Nassr, me mbështetjen e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), janë duke përgatitur një ofertë të jashtëzakonshme për ta bindur sulmuesin anësor të largohet nga “Camp Nou”.

Raportohet se 29-vjeçari mund të përfitojë një pagë neto prej rreth 48 milionë eurosh në sezon, shifër që është katër herë më e lartë se ajo që fiton aktualisht te Barcelona. Në të njëjtën kohë, klubi katalanas do të arkëtonte rreth 80 milionë euro nga transferimi i kartonit të tij.

Raphinha ka qenë një nga shtyllat kryesore të skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick dhe deri më tani ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të vazhduar karrierën te gjiganti katalanas. Megjithatë, sipas raportimeve të fundit, braziliani po e shqyrton me kujdes të ardhmen e tij pas një sezoni të vështirë, i cili u karakterizua nga lëndime dhe presion i vazhdueshëm.

Klubet saudite besojnë se kjo situatë mund t’u krijojë hapësirë për të realizuar një prej transferimeve më të bujshme të verës. Në rast se zgjedh Al Hilalin, Raphinha do t’i bashkohej një skuadre të mbushur me emra të njohur të futbollit botëror. Ndërsa te Al Nassr, ai do të kishte mundësinë të luante krah yjeve si Cristiano Ronaldo, Sadio Mane dhe Joao Felix.

Kontrata e Raphinhas me Barcelonën është e vlefshme deri në verën e vitit 2028, por mbetet të shihet nëse oferta milionëshe nga Arabia Saudite do të mjaftojë për ta bindur brazilianin të largohet nga “Camp Nou” dhe të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.

D.L

Exit mobile version