Jurgen Klopp ka zbuluar se Liverpooli ishte shumë pranë transferimit të Kylian Mbappes në fillimet e karrierës së sulmuesit francez, duke rrëfyer prapaskenat e një operacioni që, sipas tij, ishte më i madhi në historinë e klubit në atë periudhë.
Ish-trajneri i “The Reds”, gjatë një paraqitjeje si analist në kanalin gjerman Magenta TV për ndeshjen Francë–Marok në Kupën e Botës 2026, tregoi se drejtuesit e Liverpoolit kishin bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për ta bindur Mbappen të zgjidhte “Anfieldin”, kur ai ishte ende pjesë e Monacos.
“Ky ishte transferimi më i shtrenjtë në të cilin investoi Liverpooli. Fluturuam nga Blackpool në Nice, ku e gjithë familja Mbappe u bashkua me ne në një avion privat. Kaluam kohë së bashku, biseduam, darkuam dhe zhvilluam takime larg syrit të publikut. Ishte një eksperiencë fantastike… por në fund ai zgjodhi Parisin”, rrëfeu Klopp.
Pavarësisht përpjekjeve të klubit anglez, gara për nënshkrimin e talentit francez u fitua nga Paris Saint-Germain. Në verën e vitit 2017, klubi parisien e transferoi Mbappen nga Monaco në një marrëveshje fillestare huazimi, ndërsa një vit më vonë aktivizoi blerjen përfundimtare për 180 milionë euro, duke e bërë atë një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit.
Pas shtatë sezonesh të suksesshme te PSG, Mbappe realizoi ëndrrën e tij në verën e vitit 2024, kur iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë.
Sulmuesi francez nuk e ka fshehur asnjëherë respektin dhe admirimin për Liverpoolin dhe Jurgen Kloppin. Në një intervistë për BBC Sport në vitin 2020, ai e cilësoi skuadrën angleze si një nga më të mirat në botë.
“Ajo që po bën Liverpooli është e mahnitshme. Ata funksionojnë si një makinë, kanë gjetur ritmin e tyre dhe gjithçka duket e lehtë kur i shikon, edhe pse nuk është aspak kështu. Luajnë çdo tre ditë dhe vazhdojnë të fitojnë. Janë një ekip fantastik me një trajner të shkëlqyer”, kishte deklaruar Mbappe.
Dy vite më vonë, në vitin 2022, francezi konfirmoi se kishte pasur kontakte me Liverpoolin, por theksoi se bisedimet nuk kishin avancuar shumë.
“Folëm pak me Liverpoolin, por jo shumë. Në fund gjithçka ishte mes Real Madridit dhe PSG-së. Kam folur me Liverpoolin sepse e kuqja është ngjyra e preferuar e nënës sime dhe ajo e do Liverpoolin. Nuk e di pse, por është e vërtetë. U takuam edhe kur isha te Monaco. Është një klub i madh”, kishte thënë ai.
Rrëfimi i Kloppit hedh dritë mbi një nga transferimet që mund ta kishte ndryshuar historinë e Liverpoolit. Edhe pse marrëveshja nuk u realizua, interesimi i klubit anglez për Mbappen ishte real dhe shumë më i avancuar sesa ishte bërë i ditur publikisht.
D.L
