Jurgen Klopp e ka pranuar që Liverpooli ka bërë një paraqitje tejet të keqe në humbjen e mbrëmshme me rezultat minimal 1:0 kundër Leicester City-t.
“Të Kuqtë” e kishin të vështirë që të krijonin raste për gol pas penalltisë së humbur nga ylli egjiptian, Mohamed Salah, në minutën e 16’ ku më pas pësuan gol në minutën e 59’ nga Ademola Lookman.
Goli i Lookman doli të ishte i fundit në këtë ndeshje dhe i fitores për “Dhelprat” e Brendan Rodgers, ku tani Liverpooli gjen vetën gjashtë pikë larg liderit të tabelës Manchester City-t dhe në pikë të njëjta me vendin e tretë Chelsean.
“Mendoj që e filluam mirë, ndërkaq më pas ne e humbëm të gjithë ritmin dhe nuk e rikthyem. Nga ai moment çdo gjë ishte me forcë, kështu që nuk kam asgjë më shumë për të thënë. Po ashtu, rrethanat ku Leicester luajti para dy ditësh, ata e merituan, absolutisht”, tha Klopp.
Në humbjen e mbrëmshme, Liverpooli dështoi që ta gjej golin në një ndeshje të Premier Ligës angleze për herë të parë që nga muaji mars, ku që nga humbja 1:0 kundër Fulhamit, skuadra e Jurgen Klopp kishte shënuar në 29 ndeshje radhazi.
Ndeshja e radhës për Liverpoolin do të jetë si mysafirë i kampionit evropian Chelsea, përballje kjo që zhvillohet më 2 janar nga ora 17:30.