Jurgen Klopp e ka pranuar se ka buzëqeshur kur e ka mësuar që skuadra e tij Liverpooli do të ketë një punë të vështirë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
“Të Kuqtë” janë pozicionuar në Grupin B së bashku me kampionin e La Ligas Atletico Madridin, skuadrën portugeze Porto dhe gjigantin italian Milano në sezonin e ri 2021/22 të kësaj gare, përcjell KosovaPress.
Skuadra e Klopp ishte eliminuar nga Atletico në Ligën e Kampionëve para dy vitesh, por e kishte mposhtur skuadrën e Portos në dy rrugëtimet drejt finaleve të vitit 2018 dhe 2019.
Dhe pas këtij shorti, Klopp tregoi për historinë që ka ndaj tre rivalëve të këtij grupi, i cili e ka epitetin si “Grupi i Vdekjes”.
“Të jem i sinqertë, un kam qeshur, dhe atë me të madhe sepse sigurisht që është një grup i vështirë. Është Liga e Kampionëve, duhet të luash kundër skuadrave më të forta në Evropë, dhe siç shihet disa nga to janë në grupin tonë”, tha Klopp.
“Deri tani, nuk e di se sa herë jemi takuar me Porton, kështu që ata do të na presin neve. Po ashtu, kemi disa gjëra të pa përfunduara me Atletico Madridin, dhe AC Milan, sigurisht që kjo ndeshje është historike. Kështu që, unë mendoj që tifozët tanë duhet të jenë entuziast – ne jemi sigurisht”, shtoi trajneri gjerman.
Liverpooli pritet të mësoj kundërshtarin për ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve ditën e shtune, ku tanimë dihet se xhiroja e parë do të zhvillohet më datat 14 dhe 15 shtator.