Klarinetisti dhe profesori amerikan Jeremy Reynolds ka zhvilluar një masterklasë me studentët e drejtimit të klarinetës në programin Muzikë Moderne, Prodhim Digjital dhe Menaxhim Muzikor në UBT.
Aktiviteti u organizua me iniciativën e profesorit Blerim Emerllahu, ndërsa u përqendrua në teknikat bashkëkohore të interpretimit në klarinetë dhe zhvillimin teknik e artistik të instrumentistëve.
Gjatë punës së drejtpërdrejtë me studentët, Reynolds prezantoi qasje të ndryshme interpretimi, duke u ndalur te pasurimi i mjeteve shprehëse, kontrolli teknik dhe zgjerimi i potencialit artistik të instrumentit në muzikën bashkëkohore.
Ai prezantoi gjithashtu Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, ku është profesor i klarinetës, duke i njoftuar studentët dhe stafin akademik të UBT-së me programet, veprimtarinë dhe mundësitë akademike e artistike të këtij institucioni.
Jeremy Reynolds është zëvendësklarinetist kryesor në Orkestrën Filarmonike të Colorado Springs dhe profesor në Lamont School of Music të Universitetit të Denverit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë karrierës së tij ka interpretuar në gjashtë kontinente si solist dhe muzikant i muzikës kamertale, ndërsa në vitin 2015 debutoi në Carnegie Hall me ansamblin Waldland.
Përvoja e tij pedagogjike përfshin institucione të njohura ndërkombëtare, përfshirë Akademinë e Muzikës dhe Teatrit në Estoni, Akademinë e Muzikës Grieg, Akademinë e Arteve Performuese në Pragë, Universitetin Kombëtar të Seulit, Konservatorin e Versajës dhe Konservatorin e Muzikës në Sidnei.
Sipas UBT-së, organizimi i këtij masterklasi synon të krijojë mundësi bashkëpunimi me artistë dhe pedagogë ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike dhe profesionale të studentëve përmes shkëmbimit të njohurive dhe praktikave bashkëkohore në fushën e muzikës./A.K/
