Lajm i përditësuar:
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe stabilitet institucional përballë afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.
Marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit vendi shkon automatikisht në zgjedhje brenda 45 ditëve nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kurti e ka cilësuar gjendjen si emergjente, duke theksuar se kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë afat.
Duke arsyetuar nevojën për zgjidhje politike, kryeministri vuri në pah se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të zgjidhnin asgjë, por vetëm sa do ta thellonin krizën.
“Aktgjykimi që prodhoi normë të re kushtetuese lidhur me rrjedhjen e afatit për zgjedhjen e presidentit na vë para një situate emergjente për veprim. Kishim marrëveshje me LDK-në, por ajo u braktis nga gjashtë deputetë. Nga sot, kemi edhe gjashtë ditë për t’i dhënë vendit president të ri.”
Tutje, ai shtoi se klasës politike i duhet një unitet në zgjedhjen e presidentit.
“Andaj të ulemi bashkë, sepse edhe pse zgjedhjet do të shkaktoheshin nga moszgjedhja e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit, ndërkaq Qeveria do të mbetej në detyrë”.
Kurti shtoi se secili proces i ri zgjedhor do të kthente vendin në të njëjtën pikë.
“Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme. Nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje të panumërta vetëm për t’u kthyer në pikën e njëjtë. Secili proces zgjedhor është kontekst i ri mbi të cilin duhet të reflektojmë, por kësaj here nuk do të prodhohej rezultat ndryshe.”
Kërkohet mbrojtje juridike e diplomatike për ish-krerët e UÇK-së në Apel
Përveç krizës politike, Kurti theksoi se stabiliteti institucional është i domosdoshëm edhe për të përballuar sfidat shtetërore në rrafshin ndërkombëtar, veçanërisht pas vendimit dënues ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ai rikujtoi takimet me krerët opozitarë, Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku, si dhe Deklaratën e miratuar me 99 vota në Kuvend, si hapa drejt një bashkërendimi të nevojshëm:
“Në rrethana të reja, shteti ynë më së paku do të duhej të kishte mbi qafë kërcënimin e zgjedhjeve të reja. Vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional, ashtu që të marrë përgjegjësinë për detyrat që i ka përpara, strategjinë e përbashkët shtetërore dhe mbrojtjen juridike e diplomatike ta kemi triumfuese nëpër botë.”
“Si kryeministër, do të bëjmë gjithë çfarë dimë e mundemi bashkë me kolegët nga Qeveria në Apel. UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dhe dëbimeve,” përfundoi Kurti.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë: Do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot gjatë mbledhjes së Qeverisë se ekzekutivi do të angazhohet me të gjitha mundësitë për kundërshtimin dhe korrigjimin e aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, proces ky që pritet të vazhdojë në shkallën e Apelit.
Kurti bëri me dije se të diellën ka zhvilluar takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të bashkërenduar hapat përballë këtij vendimi të cilin e quajti “të padrejtë dhe të rëndë”, si dhe për të diskutuar sfidat politike e shtetërore të vendit.
Kryeministri përshëndeti miratimin e Deklaratës në Kuvendin e Kosovës me 99 vota pro, duke e cilësuar atë si një hap fillestar që përfaqëson vullnetin e popullit.
“Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës është hapi i parë i përbashkët që, më shumë se sa që krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij”, u shpreh Kurti.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë mes subjekteve politike, duke theksuar nevojën për bashkërendim të kujdesshëm me ekipet mbrojtëse dhe ekspertët e fushës, me qëllim që veprimet institucionale të mos dëmtojnë pozicionin e të akuzuarve.
Duke i dalë në mbrojtje luftës çlirimtare, Kurti ritheksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartëse e një cauze të drejtë popullore.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë të popullit,” përmbylli kryeministri Kurti.
