UBT News

Kastrioti kampioni i Kosovës në Hendboll

Kastrioti i Ferizajit ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar, duke e fituar për herë të tretë rresht Kupën e Kosovës.

Në një finale tejet dramatike të zhvilluar të dielën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kastrioti triumfoi ndaj Besa Famgas me rezultat minimal 28:27. Heroi i ndeshjes ishte Alban Haziri, i cili realizoi golin e fitores vetëm dhjetë sekonda para përfundimit.

Takimi ishte i baraspeshuar deri në momentet e fundit. Besa ishte në epërsi 27:26, por Kastrioti barazoi në 27:27 rreth një minutë e gjysmë pa përfunduar ndeshja, falë një goditjeje të saktë nga Gentrit Brahimi.

Në minutat vendimtare, Besa pati disa tentativa për të rikthyer epërsinë, por nuk arriti të konkretizojë. Gjuajtja e Denis Terziqit u bllokua fillimisht nga mbrojtja e Kastriotit, ndërsa më pas ai bëri faull në sulm në minutën 59:18.

Në aksionin e fundit, Kastrioti u tregua më i saktë. Haziri finalizoi me sukses dhe i siguroi skuadrës së tij trofeun. Besa pati edhe një mundësi të fundit, por Terziqi gaboi, duke gjuajtur jashtë porte tri sekonda para fundit.

Një rol kyç në këtë fitore pati portieri Wadi Chebbi, i cili me pritjet e tij vendimtare u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut final.

Sa i përket statistikave, më efikasi për Kastriotin ishte Felippe Teixeira me gjashtë gola, ndërsa Alban Haziri dhe Yassine Henahen shtuan nga pesë secili. Në anën tjetër, Denis Terziqi realizoi 10 gola për Besën, kurse Yas Mohamed Omar Ali shtatë.

Në rrugëtimin drejt finales, Kastrioti eliminoi Rahovecin në gjysmëfinale, ndërsa Besa Famgas kaloi Prishtinën.

Exit mobile version