Merkatoja verore preki shumë futbollistë, të cilët ndërruan ambiente dhe liga për t’iu bashkuar skuadrave të tyre të reja.
Po ashtu, një ndër emrat e lakuar në këtë merkato ishte edhe portieri i Chelseat, Kepa, i cili lidhej me një transferim në Serie A te skuadra e Napolit.
Napoli dëshironte që ta transferonte Kepan këtë verë, por që ky i fundit e vazhdoi qëndrimin e tij në “Stamford Brigde”.
Tani, në një intervistë për “El Larguero”, Kepa zbuloi arsyen se pse vendosi ta vazhdojë të ardhmen me “Blutë” e Londrës.
“Kisha shanse për tu larguar nga Chelsea gjatë verës, kishte gjëra duke ndodhur, por klubi gjithmonë më dha besimin e tij, ata gjithmonë dëshironin që unë të pjesë e skuadrës. Ne e analizuam këtë gjë dhe unë jam i lumtur që të qëndrojë dhe të jem te ky klub i madh”, tha Kepa.
Që prej transferimit nga skuadra e Athletic Bilbaos te Chelsea për 80 milionë euro, Kepa ka arritur të bëjë 126 paraqitje në të gjitha garat për gjigantin anglez, duke pranuar 132 gola dhe duke mbajtur portën e paprekur 47 herë.