Kirurgu i përgjithshëm i cili profesionin e tij kirurgjikal e ushtron në Gjenevë dhe në Kosovë, Ymer Durmishi konsideron se organizimi i Kongresit të katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës është i një rëndësie të veçantë. Këtë kongres, Durmishi e quan një lloj stacioni ku mund të bashkohen kuadrot e profileve të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, për të këmbyer përvojat, në mënyrë që pacientëve t’u ofrohen trajtimet më moderne.
“Kongresi është i një rëndësie shumë të madhe, qoftë në aspektin kirurgjikal shkencor, qoftë edhe në aspektin e kontakteve të reja, në kuadrat që vijnë nga jashtë, por edhe në kuadrot kosovare që punojnë jashtë. Dhe në një farë mënyre është një lloj stacioni ku mund të bashkohen kuadrot e profileve të ndryshme në drejtim të këmbimit të përvojës, qofshin atyre në Amerikë apo në Evropë dhe kolegëve tanë këtu në Kosovë, në mënyrë që të kemi një bashkëpunim sa më të mirë, t’iu ofrojmë pacientëve trajtimet e fundit, trajtimet më moderne dhe më të sigurta, të cilat trajtime sot aplikohen në botën e civilizuar”, tha Durmishi.
Kirurgu Ymer Durmishi vlerësoi se kirurgjia në Kosovë ka nevojë për përmirësime. Ai tha se furnizimi me aparatura moderne, formimi i kuadrove të reja dhe aplikimi i standardeve të reja të kirurgjisë janë të domosdoshme.
“Kryesisht aktivitetin tim kirurgjikal e kam në Gjenevë dhe në Kosovë…Kirurgjia në Kosovë ka shumë nevojë (për përmirësime) për arsye se e para ne jemi shteti i ri dhe sa kemi dalë nga lufta dhe nuk i kemi formuar kuadrot e nevojshme, sepse vazhdimisht duhet të merremi me formimin e kuadrove. Pastaj furnizimi me aparaturat moderne, i cili ka qenë një hendikep shumë i madh në të kaluarën dhe tani gradualisht ky hendek është tejkaluar sepse për çdo ditë kemi aparatura të reja. Aplikimi i standardeve të reja të kirurgjisë i cili është mëse i domosdoshëm dhe Kosova edhe me tutje po ngec, sepse ne nuk mund të krahasohemi me shtetet tjera nëse nuk e bëjmë të njëjtën gjë. Në qoftë se edhe më tutje e bëjmë kirurgjinë e para 50 viteve dhe marrim pjesë në kirurgjinë ku flitet për kirurgjinë e javës së kaluar, ne apriori mbesim mbrapa dhe nuk kemi element krahasues, njerëzit mund të na marrin serioz nëse bëjmë diçka që në tjerat shtete as nuk bëhet fjalë”, potencoi Durmishi.
Ndër të tjera, Durmishi tregoi se në Kongresin e katërt Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës do të prezantojë disa tema të cilat kanë të bëjnë kryesisht me domenin e Kirurgjisë Abdominale dhe të Përgjithshme.
Aplikimi i terapisë “vakuum” për plagët e komplikuara, lezionet e shpretkës dhe reagimi në momentin e duhur kur zorrët janë të bllokuara pas operacionit janë disa nga çështjet të cilat Durmishi do të prezantojë gjatë këtij kongresi.
“Këto kongrese nuk janë të shpeshta për ne kirurgët dhe mundohemi të jemi sa më aktiv, veçanërisht kategoria e kirurgëve që punon jashtë vendit në mënyrë që të sjellim pak a shumë edhe përvojën tonë nga atje. Për këtë kongres kam pesë prezantime të cilat kanë të bëjnë kryesisht me domenin e kirurgjisë abdominale dhe të përgjithshme. Duke filluar nga aplikimi i një terapie që quhet vakuum, për plagët e komplikuara të abdomenit dhe pilvikut pastaj duke vazhduar me paraqitjen e komplikimeve të mundshme gjatë intervenimeve, sepse ne në sallat e operacionit përdorim pajisje të ndryshme por gjithsesi ato kanë përparësi, por kuptohet kanë edhe komplikime. Pastaj një prezantim ka të bëjë me lezionet e shpretkës të cilat nuk janë të shpeshta, por që nuk kemi të drejtë t’i injorojmë…Një temë ka të bëjë, një kohë të gjatë është diskutuar nëpër kongrese se më cilin moment duhet të reagojmë kur zorrët janë të bllokuara pas operacionit”, tha Durmishi.
Ky kongres i cili ka nisur sot punimet, ka mbledhur më shumë se 50 ligjërues nga vendet të ndryshme të botës, e 65 nga Kosova dhe rajoni.
Në këtë Kongres pjesëmarrës do të jenë rreth 500 kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vendet e ndryshme ku jeton diaspora.
Kongresi i katërt Klinik i Kirurgjisë është organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe mbështetur nga Oda e Mjekëve të Kosovës.