UBT News

Kino Armata prezanton kryeveprën e Saimir Kumbaros: “Koncert në vitin 1936”

Kino Armata vazhdon programin e saj retrospektiv “Netët e Filmit Shqiptar”, duke sjellë për publikun një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare – “Koncert në vitin 1936” të regjisorit Saimir Kumbaro.

Filmi do të shfaqet më 8 tetor, në orën 20:00, në versionin e restauruar dhe me titra në gjuhën angleze.

Historia rrëfen udhëtimin e dy artisteve të reja – një këngëtare dhe një pianiste nga Tirana drejt qyteteve të provincës për të dhënë koncerte.

Gjatë rrugëtimit përballen me mikpritjen e njerëzve të thjeshtë, por edhe me pengesa nga autoritetet lokale, të cilët përpiqen të kontrollojnë artin sipas logjikës burokratike dhe konservatore.

Konflikti arrin kulmin në qytetin e Lushnjës, ku autoritetet tentojnë të ndalojnë koncertin, duke imponuar pushtetin e tyre mbi artistët.

Regjisori Saimir Kumbaro, një nga emrat më të rëndësishëm të kinemasë shqiptare, afirmoi veten pikërisht me këtë film të vitit 1978, që mbetet një vepër ikonike e artit shqiptar.

Me një karrierë që përfshin mbi 90 dokumentarë, Kumbaro ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinemasë në vend.

Cikli i filmave organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, duke sjellë për publikun kosovar prodhime të rëndësishme të viteve ’70–’90. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version