UBT News

Kina reagon pas sekuestrimit të anijes iraniane nga SHBA: Situata në Hormuz është e ndërlikuar

Qeveria kineze ka shprehur shqetësimin e saj të hënën pas ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara mbi një anije mallrash me flamur iranian.

Përmes një deklarate zyrtare, Pekini i ka bërë thirrje palëve që të tregojnë përgjegjshmëri dhe të respektojnë marrëveshjet e armëpushimit për të shmangur një përshkallëzim të ri të tensioneve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në një nga pikat më strategjike detare në botë.

“Situata në Ngushticën e Hormuzit është e ndjeshme dhe e ndërlikuar. Palët e përfshira duhet të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të krijojnë kushtet e nevojshme që tranziti normal përmes ngushticës të rifillojë”, deklaroi Jiakun.

Reagimi i Pekinit vjen pasi ushtria amerikane konfirmoi sekuestrimin e anijes, me arsyetimin se ajo kishte tentuar të thyente bllokadën e porteve iraniane. Nga ana tjetër, Teherani zyrtar ka pohuar se anija po udhëtonte nga Kina dhe e ka cilësuar veprimin e SHBA-së si “pirateri të armatosur”, duke u zotuar për hakmarrje.

Kina, si një partner i rëndësishëm tregtar në rajon, kërkon që të mos mbyllet “dritarja e paqes” që ishte hapur përmes negociatave të fundit.

“Tani që është hapur një dritare për paqe, duhet të krijohen kushte të favorshme për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi zëdhënësi kinez, duke bërë thirrje për ruajtjen e vrullit të bisedimeve.

Ky incident vjen në një kohë delikate për diplomacinë ndërkombëtare, ku siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit mbetet një sfidë kryesore për tregtinë globale të energjisë dhe mallrave.

 

Exit mobile version