UBT News

Kina po ndërton kopjen e Titanikut!

Për të gjithë ju që keni ëndërruar se çfarë eksperience do të ishte të jeni pasagjerë në anijen e Titanikut, një kompani kineze po mundohet që afërsisht t’ju bëjë të përjetoni një eksperiencë të tillë.

Një kopje e anijes së Titanikut është duke u ndërtuar në Daying County në provincën Sichuan. E quajtur si “anije që nuk fundoset”, kjo anije ka të njëjtën madhësi sikurse anija origjinale – 269.06 metra e gjatë dhe 28.19 metra e gjerë.

Duket se investitori kinez, Su Shaojun është njëri nga fansat më të mëdhenj të filmit. Vite më parë ai kishte deklaruar se do të financojë kopjen e anijes, e cila sipas fjalëve të tij, do t’i mbante gjallë kujtimet rreth anijes së Titanikut.

“Ne po ndërtojmë një muze për Titanikun”, kishte deklaruar ai.

Su thotë se motori që do të funksionojë me avull do t’i bëjë mysafirët të ndjehen sikurse janë në det, ndonëse anija s’do të lundrojë në det dhe do të vendoset në një lumë.

Anija origjinale e Titanikut e nisi rrugëtimin e tij nga qyteti Southampton në Angli për në New York, më 10 prill të vitit 1912. Më 14 prill të po atij viti, rreth mesnatës, kjo anije goditi një ajsberg dhe u fundos në më pak se tri orë.

Sipas të dhënave të senatit amerikan, në këtë anije humbën jetën 1 mijë e 517 persona, kurse 706 shpëtuan./UBTNews

Exit mobile version