Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb në veri të vendit për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin e tyre në sistemin gjyqësor, pas dorëheqjes masive që kishin bërë në vitin 2022.
Vendimi u mor me 9 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim. Pas këtij vendimi, emrat e zyrtarëve serbë do t’i përcillen ushtrueses së detyrës së presidentes për lirim zyrtar nga detyra.
Artan Abazi, anëtar i KGJK-së kundërshtoi rikthimin e tyre, duke theksuar se dorëheqjet e vitit 2022 ishin të parevokueshme dhe se mungesa katërvjeçare i ka bërë ata profesionalisht të papërshtatshëm për shkak të ndryshimit të ligjeve dhe praktikave.
“Duke pasur parasysh që në vitin 2022, këta gjyqtarë me vullnetin e tyre kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme… ata kanë humbur edhe aftësinë profesionale për ta ushtruar pozitën. Po ashtu, konsideroj se disa janë të përfshirë në aktivitete politike dhe s’kanë vend në sistem, ndërsa për disa nuk e dimë nëse kanë kryer vepra penale”.
Ivana Milenkoviq, anëtare e KGJK-së mbështeti kërkesën për rikthim, duke argumentuar se pranimit i tërheqjes së dorëheqjeve do të garantonte të drejtat kushtetuese për qytetarët e atij rajoni.
Me këtë vendim, KGJK-ja u ka dhënë fund speculimeve për një rikthim të mundshëm të zyrtarëve të dorëhequr, duke hapur rrugën për përmbylljen ligjore të statusit të tyre. /E.A/
