UBT News

KFOR-i nis integrimin e Policisë së Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit

Misioni i KFOR-it ka njoftuar se ka nisur procesin e integrimit të personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë përveç mbrojtjes së Manastirit të Deçanit. Përmes një komunikate zyrtare, KFOR-i bëri të ditur se ky hap vjen në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të misionit në terren.

Sipas njoftimit, ky proces do të realizohet në mënyrë graduale dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore e ndërkombëtare.

“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, si dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe të institucioneve të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).”

Pavarësisht këtij riorganizimi, KFOR-i njoftoi se mbetet reaguesi i parë për sigurinë e këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore e fetare.

“Personeli ynë është i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi, në përputhje me mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, sipas reagimit të KFOR-it.

Po ashtu, misioni i udhëhequr nga NATO nënvizoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha palët e përfshira, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Serbisë, për të ruajtur transparencën dhe për të shmangur keqkuptimet, duke i bërë thirrje të gjithëve për angazhim konstruktiv në dialog.

Në përmbyllje, KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin për përmbushjen e mandatit të tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. /E.A/

 

Exit mobile version