Kevin De Bruyne, një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Manchester Cityt, ka konfirmuar se do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni, kur dhe përfundon kontrata e tij me kampionët e Anglisë.
Në një postim emocionues në rrjetet sociale, mesfushori belg shprehu mirënjohjen për periudhën e tij te “Citizens”, duke e cilësuar këtë kapitull si më të mirin në karrierën e tij. De Bruyne, që iu bashkua Cityt në vitin 2015 nga Wolfsburgu, ka fituar 16 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2023, një arritje historike për klubin.
Një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës së Pep Guardiolës, De Bruyne është njohur për vizionin e tij të jashtëzakonshëm, pasimet precize dhe ndikimin në lojën e ekipit. Deri tani, nuk është zbuluar ende destinacioni i tij i ardhshëm, por largimi i tij shënon fundin e një epoke të lavdishme për Manchester Cityn.