UBT News

Këto janë vendimet që u morën sot në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e pestë të rregullt, me ç’rast ka miratuar një varg vendimesh që ndërlidhen me reforma administrative, shëndetësi, infrastrukturë dhe integrime evropiane. Ndër vendimet kryesore ishte bartja e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Në kuadër të agjendës evropiane, ekzekutivi ka themeluar Sistemin për Zbatimin e Mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Për këtë proces, Jeton Zulfaj është emëruar Koordinator Kombëtar, me qëllim koordinimin ndërinstitucional për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.

Në sektorin e shëndetësisë, kabineti qeveritar ka miratuar kërkesën për pagesën e specializantëve me vetëfinancim. Për këtë qëllim janë ndarë mbi 550 mijë euro, nga të cilat përfitojnë 55 specializantë brenda vendit dhe 37 të tjerë nga Lugina e Preshevës, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Sa i përket infrastrukturës dhe pronave, janë miratuar disa vendime për shpronësime për interes publik. Këto vendime i hapin rrugë zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë–Podujevë (M25), ndërtimit të një Zone Industriale të Mbrojtjes në pronat e ish-KBI Erenikut, si dhe realizimit të projektit për linjën ajrore 110kV në Zatriq. Po ashtu, Qeveria ka dhënë në shfrytëzim ngastra kadastrale për nevojat e ndërtimit të një Terminali Publik për Doganën e Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhjeje u ndanë edhe 138 mijë euro për mbështetjen e orkestrës së fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus” për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare në Spanjë dhe Çeki. Ndërkaq, për Fondin e Ekselencës, në bashkëpunim me trupat e OKB-së, janë alokuar 400 mijë euro. Ndër vendimet e tjera, vlen të theksohet zgjatja e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut edhe për tre muaj.

 

Exit mobile version