UBT News

Këto janë çmimet e derivateve për sot: Nafta shkon në 1.68 euro

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar listën e re të çmimeve maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës në Kosovë, të vlefshme për datën 29 prill 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë 1.68 euro për litër për naftën (dizel), 1.47 euro për litër për benzinën dhe 0.85 euro për litër për gasin.

Ky vendim obligon të gjithë operatorët ekonomikë që të mos i tejkalojnë këto tavanë, ndërkohë që qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo parregullsi në adresën zyrtarë të inspektoratit ose përmes linjës telefonike pa pagesë.

Ky shtrenjtim i lehtë dhe luhatja e vazhdueshme e çmimeve vijnë si pasojë e një situate të tensionuar në arenën ndërkombëtare. Shkaktari kryesor mbetet kriza e rëndë gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku bllokimi pothuajse i plotë i Ngushticës së Hormuzit ka krijuar një goditje të paprecedentë në furnizimet me energji.

Meqenëse kjo rrugë ujore është jetike për transportin global të naftës, pasiguria ka bërë që çmimet në bursa të rriten me shpejtësi. Kosova, duke qenë një vend importues, mbetet e ekspozuar ndaj këtyre lëvizjeve, ndërsa ndërhyrja e Ministrisë përmes çmimeve tavan synon të parandalojë rritjen artificiale të çmimeve nga tregtarët lokalë dhe të amortizojë koston për konsumatorët në këtë periudhë të vështirë globale.

Exit mobile version