Carlos Cordeiro, një nga këshilltarët e lartë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ka dhënë dorëheqje, vetëm pak orë pasi Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) iu bashkua UEFA-s dhe CONCACAF-it në kundërshtimin e planit për përfshirjen e investitorëve privatë në garat e FIFA-s.
Sipas raportimeve, Cordeiro e ka cilësuar propozimin e Infantinos si një marrëveshje të dëmshme për futbollin, duke deklaruar se ai “do të hipotekonte të ardhmen e futbollit”.
Dorëheqja e tij vjen në një moment kur kundërshtimi ndaj projektit po rritet. Pas UEFA-s dhe CONCACAF-it, edhe Konfederata Aziatike e Futbollit ka shprehur solidaritet me qëndrimin kundër planit të FIFA-s.
Carlos Cordeiro kishte shërbyer për gati pesë vjet si këshilltar i lartë i FIFA-s dhe kishte përfaqësuar organizatën në grupin e punës të Shtëpisë së Bardhë për organizimin e Kupës së Botës 2026. Ai ishte emëruar këshilltar i lartë për strategjinë dhe qeverisjen globale në shtator të vitit 2021.
Me këtë vendim, Cordeiro bëhet figura e parë e rëndësishme brenda FIFA-s që largohet nga posti si pasojë e polemikave rreth planit të presidentit Gianni Infantino, i cili ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit.
D.L
