Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.
Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.
KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.
“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.
Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.
Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.
D.L
